Nga Evarist Beqiri

Emocione të shumta këto ditë, britma për “tradhti” dhe po aq mllef i derdhur rrugëve e studiove për vendimin e Hagës. Ne duhet të vendosim një vijë ndarëse të qartë qysh në fillim. Sot ne nuk jemi këtu për të mbrojtur historinë e Kosovës nga gjykata, por për të mbrojtur thelbin e shtetit të Kosovës nga vetë ne.

Dënimi i krerëve të UÇK-së është pa diskutim i rëndë. Për shumëkënd, ai rëndon edhe më tepër për shkak të asimetrisë së thellë gjeopolitike në raport me pandëshkueshmërinë e aparatit gjenocidal serb. Por nëse këtë dhimbje kombëtare e kthejmë sot në një luftë civile politike, duke akuzuar Tiranën për Hagën, Prishtinën për përçarje, apo duke mallkuar aleatët që e mbajnë Kosovën në këmbë, atëherë ne po bëjmë fiks atë që kërkon Beogradi. Kthimi i kësaj tragjedie juridike në një kalë beteje mes tifozëve të pushteteve në Tiranë dhe militantëve në Prishtinë, është banalizim i historisë dhe tallje me vetë luftën.

Retorikat boshe, statuset në Facebook që kërkojnë tradhtarë në çdo cep, rezolutat e vonuara për konsum patriotik, apo fjalimet “historike” dhe bisedat e dështuara lobuese nëpër forume ndërkombëtare, treguan atë që dihej: faktin se sa e vogël dhe e pavlerë është politika ditore e Tiranës dhe Prishtinës përballë drejtësisë ndërkombëtare. Drejtësia nuk zhbëhet me lobime televizive.

Sot Kosova po kalon një sprovë brutale të pjekurisë së saj si shtet. A ka Kosova fuqinë të ndajë sakrificën sublime të UÇK-së nga përgjegjësia individuale e themeluesve të saj?

Gatishmëria e krerëve të UÇK-së për të mos rezistuar me dhunë institucionale dhe për t’u përballur me këtë drejtësi, është paradoksalisht akti i fundit shtetndërtues i “krahut të luftës”. Ndërsa në shumë vende post-konfliktuale guerilasit i mbajnë armët për të mbajtur pushtetin me dhunë, lidershipi i UÇK-së e tregtoi forcën ushtarake me njohjen ndërkombëtare. Ata e përdorën kapitalin e tyre historik për të justifikuar kompromiset thelbësore në Rambuje dhe Ahtisaari. Në fund, ata i dolën zot shtetit që ndërtuan duke iu nënshtruar rregullave të atij shteti. Ky është themeli mbi të cilin ngrihet legjitimiteti perëndimor i Kosovës.

Gjykata, në thelbin e saj, po bën individualizimin e fajit. Aktgjykimi që rrëzoi akuzat për “krime kundër njerëzimit” është mburoja e hekurt juridike që vërteton se nuk kishte një fushatë shtetërore të organizuar nga UÇK kundër civilëve. Bellum iustum, kauza e drejtë e luftës çlirimtare të shqiptarëve, nuk është zhbërë nga ky aktgjykim. Ajo është një e vërtetë historike dhe morale e pandryshueshme.

Nga ana tjetër, nëse provohet gjatë gjykimit që individë të caktuar kanë përdorur luftën për axhenda personale apo për të eliminuar kundërshtarë të brendshëm, ata individë duhet të mbajnë përgjegjësi. Veprimet jashtë rregullave universale të luftës (Jus in bello) nuk e përkufizojnë luftën. Ato përkufizojnë vetëm ekzekutorët. Të shpëtosh UÇK-në sot, do të thotë të guxosh të pranosh se, UÇK-ja dhe fati individual penal i themeluesve të saj janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ne nuk duhet të biem në grackën e Serbisë që kërkon ta nxijë të gjithë luftën përmes këtyre dënimeve.

Narrativa e çlirimit nuk duhet përdorur si imunitet politik. Drejtësia duhet që ta ndajë përfundimisht shtetin nga monopolizimi individual i historisë, duke dëshmuar se shteti i Kosovës është më i fortë se cilido hero i veçantë.

Amnistimi de facto i Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare është një dështim kolosal gjeopolitik, por ai nuk mund të përdoret kurrë si alibi juridike për krimet e pretenduara ndaj civilëve në Kosovë. Këtu qëndron edhe kontrasti i madh historik. Ndërsa kriminelët serbë të luftës janë dënuar për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid si pjesë e një ndërmarrjeje të organizuar shtetërore, në rastin e UÇK-së bëhet fjalë për individualizim fajësie. Kosova e vërtetoi se e mban peshën e shtetit të së drejtës, duke u përballur me anën më të errët të historisë së saj. Serbia, me një aparat shtetëror që kreu gjenocid, vazhdon të fshehë varret masive nën themelet e saj dhe të refuzojë çdo bashkëpunim.

Beteja juridike duhet të vazhdojë në apel. Por beteja jonë kombëtare nuk fitohet duke gjetur armiq brenda llojit. Ajo fitohet duke dëshmuar mendim shtetëror në kohë krize. Ky moment nuk duhet trajtuar si një tragjedi kombëtare. Ai duhet kthyer në forcë për të konsoliduar shtetin e së drejtës. Kosova nuk është një viktimë e fatit. Ajo është një shtet i rritur që sapo kaloi sprovën më të vështirë të sovranitetit të saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb