Rusia pritet të rikthehet në aktivitetet e FIFA-s për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Kombëtarja ruse është përfshirë në listën e pjesëmarrësve për Kupën e Botës U15 të meshkujve që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Azerbajxhan.
Pas pushtimit të Ukrainës, si klubet ashtu edhe ekipet kombëtare ruse u përjashtuan nga turnetë e FIFA-s dhe UEFA-s. Asokohe Rusia duhej të luante kundër Shqipërisë në Ligën e Kombeve, por ndeshjet e saj me kuqezinjtë dhe rivalët e tjerë në grup u anuluan.
Ndonëse FIFA e hoqi ndalimin për ekipet ruse U17 që në vitin 2023, ky aktivitet i ardhshëm do të shënojë herën e parë që një ekip do të luajë realisht. Ekipi rus është shortuar në një grup me Turqinë, Afganistanin, Xhibutin, Sierra Leonen dhe Sudanin.
