Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se Rusia po përgatit një valë të re sulmesh ndaj Ukrainës, duke vënë në shënjestër infrastrukturën energjetike, urat mbi lumin Dnipro dhe objekte të tjera civile.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, më 6 nëntor, Zelenskyy tha se paralajmërimi bazohet në të dhënat e inteligjencës ukrainase. Sipas tij, Forcat Ajrore dhe ushtria po përgatiten për të përballuar sulmet e mundshme, por mbrojtja mbetet një sfidë e vështirë.

“Ne kemi aktualisht informacione nga inteligjenca se po përgatitet një tjetër sulm ndaj sektorit tonë energjetik, urave tona mbi lumin Dnipro dhe infrastrukturës civile”, deklaroi presidenti ukrainas.

Zelenskyy u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të mos vonojnë dërgesat e raketave interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, duke theksuar se çdo marrëveshje dhe çdo ditë në procesin e furnizimit është vendimtare.

“Na duhen raketa interceptuese për sistemet Patriot. Çdo marrëveshje ka rëndësi dhe çdo ditë në furnizime është shumë e rëndësishme. U kërkojmë fuqimisht partnerëve tanë të mos i shtyjnë dërgesat”, tha ai.

Kreu i shtetit nuk dha një afat se kur mund të ndodhin sulmet, por u kërkoi qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë paralajmërimet për rrezikun nga raketat.

“Ju lutemi, kujdesuni për veten, duke pasur parasysh kërcënimin e sulmeve me raketa”, u shpreh Zelensky.

Paralajmërimi vjen në një periudhë kur infrastruktura energjetike ukrainase është përballur me sulme të përsëritura ruse, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe vështirësi në furnizimin me shërbime jetike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb