Një statujë në përmasat reale e John Lennon, e vendosur në një prej vendeve më të famshme të Liverpoolit, Penny Lane, do të dalë në ankand dhe pritet të shitet për deri në 100 mijë paund. Skulptura prej bronzi, e krijuar nga artistja e ndjerë Laura Lean, është vendosur që prej gushtit të vitit 2022 pranë Kishës së Shën Barnabës në Penny Lane. Pas shitjes, statuja do të zëvendësohet me një replikë.
Penny Lane u bë e famshme në mbarë botën falë këngës së “The Beatles” me të njëjtin emër, të publikuar në vitin 1967 dhe të lidhur ngushtë me historinë muzikore të Liverpoolit. Shtëpia e ankandeve “Omega” do ta nxjerrë statujën në shitje më 29 shtator. Vlera e saj është parashikuar të jetë mes 70 mijë dhe 100 mijë paund. Statuja është rreth 1.8 metra e lartë dhe paraqet John Lennon të mbështetur mbi një simbol të paqes, ku është shkruar fjala “Imagine”, në referencë të një prej këngëve më të njohura të artistit.
Në të njëjtin ankand do të shiten edhe një sërë objektesh të tjera të lidhura me “The Beatles”, përfshirë albume, autografe, kartolina, broshura dhe fotografi. Statuja u vendos në Penny Lane me mbështetjen e “Penny Lane Supporters Trust”, një organizatë komunitare me bazë në këtë zonë, duke u kthyer prej atëherë në një pikë të njohur për fansat e grupit dhe të John Lennon.
