Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja për shitjen me pakicë dhe shumicë të naftës dhe benzinës, pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Në mbledhjen e zhvilluar këtë të shtunë, 19 shtator, Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të mos jetë më shumë se 219 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë të jetë maksimumi 207 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është përcaktuar në jo më shumë se 195 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë tavani është vendosur në 183 lekë për litër. Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, 19 shtator, në orën 16:00 dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e parë.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 19 Shtator 2026, vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 219 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 19 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb