Gjatë një replike të ashpër në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se shqiptarët nuk kanë hallin e pagave të larta të magjistratëve, por humbjen e 16 miliardë eurove në buxhetin e shtetit përgjatë një mandati qeverisës.

Blushi e akuzoi kreun e ekzekutivit për stisjen e një konflikti me sistemin e drejtësisë me qëllim nënshtrimin e tij dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet e njëpasnjëshme korruptive dhe niveli më i ulët i mbledhjes së të ardhurave në rajon.

Ai nënvizoi se këto fonde të munguara do të mjaftonin për rritjen e ndjeshme të pensioneve, pagave dhe financimin e sektorëve vitalë si bujqësia, shëndetësia dhe arsimi.

Deklarata e plotë:

Kushdo që shpresonte se pas natës që kaloi me Vangjel Tavon, në Malin e Shenjtë Athos, ku nuk lejohen gratë, Edi Rama do të kthehej si “murgeshë” në Shqipëri, gaboi rëndë.
As fjeta në manastirin e Malit të Shenjtë, ku ndodhin mrekullira, nuk e ndryshoi dot.
Si duket edhe Zoti ka mbaruar punë me të sepse e ka të pamundur ta ndryshojë dot.
Siç e dëgjuat, e filloi fjalën e tij me termat “legen”, “hajvan” dhe plot marrëzi të tjera, që do të thotë se edhe Zoti është dorëzuar për ta kthyer në rrugë të drejtë.
Ndaj një këshillë që kam për murgjërit e Malit Athos është që të fillojnë t’i numërojnë nga e para ikonat se mos u mungon ndonjë.
Se nëse i referohemi të ndjerit Fatos Nano, Edi Rama e nisi karrierën si shitës ikonash të vjedhura dhe po e mbyll po aty ku e nisi, pra u kthye te zanati i vjetër, si vjedhës ikonash.
Për t’u rikthyer te çështja e pagës së magjistratëve, ky është një konflikt i qëllimshëm, i provokuar nga kryespekulanti dhe kryekleptokrati, Edi Rama, që ka kapur për fyti të gjitha institucionet, dhe që nuk ka hallin pse gjyqtarët e prokurorët kanë pagat më të larta në rajon, se për vete është kryeministri që ka pagën më të lartë në rajon, por që do të nënshtrojë përfundimisht sistemin gjyqësor, për të shuar edhe atë pak pavarësi që ka mbetur në këtë sistem.
Edi Rama nëpërmjet këtij konflikti të stisur prej tij me qëllim, synon të spostojë vëmendjen nga problemet madhore që kanë sot shqiptarët.
Problemi madhor që kanë sot shqiptarët nuk janë pagat e larta të gjyqtarëve apo prokurorëve por fakti që Shqipëria është sot vendi i fundit në rajon për mbledhjen e të ardhurave në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.
Si ka mundësi që Shqipëria është në vend të fundit të rajonit me 28.3% të mbledhjes së të ardhurave në raport me PBB, kur ndërkohë Bosnjë-Hercegovina, e dalë pas pas një konflikti të armatosur ndër-etnik, arkëton sot 42.5 % ndërsa Mali i Zi arkëton 40,3%?
Arsyeja është vjedhja.
Janë të paktën 4 miliard euro në vit ose 16 miliard euro në një mandat qeverisës që nuk arkëtohen në buxhetin e shtetit, të mjaftushme për të rritur ndjeshëm pagën minimale dhe mesatare, për të rritur pensionet në qytet dhe në fshat, do ishte rritur financimi i bujqësisë, sektorit që i vidhen edhe ndihmat e BE, pra fondet IPARD, do ishte rritur financimi i shëndetësisë dhe arsimit.
Meqënëse Edi Rama na ftoi të mos flasim kot me shifra 40, 50, apo qindra milion euro që sipas nesh vidhen prej tij, atëherë po i bëj një pyetje konkrete.
Mund të na thuash, kantina e Gysit, ku është? Ku e ke fshehur kantinën e verërave 3 milion euro.
Katër kantina vere, baraz me pagën e rritur të gjyqtarëve.
E sa i përket shqetësimit të ministrit të financave, se SPAK i ka trokitur në derë, ai duhet ta dijë se në fakt është Edi Rama që po i troket në derë për të arrestuar.
Për t’ja faturuar atij konfliktin me gjyqësorin.
Ministri i Financave, si emërtesë e Belindës, duhet ta dijë se pas Besfortit që Rama e shkarkoi si ministër të Brendshëm, tani po i vjen atij radha.
E sa i përket një deputeti të Edi Ramës, një nga ata që votojnë symbyllurazi, në orët e vona të natës ligje antikushtetuese, i cili na tha se buxheti i shtetit nuk preket përveç personave të autorizuar me ligj, i them ja ku e ke hajdutin dy metra të gjatë, që fut duart në buxhet duke shkelur ligjin.
Po Belinda Balluku a i futi duart në buxhet?
Po Ron Yeffet a i futi duart në buxhet?
Po kush e miratoi skemën mafioze KAYO?
A nuk është KAYO një puç kushtetues, një skemë për të vjedhur buxhetin e shtetit?
Ja pra ku janë miliona euro për të rritur pagat e gjyqtarëve.
Po përse ky parlament nuk ka bërë kurrë një debat për të rritur pagat, pensionet e të ardhurat e të gjithë shqiptarëve? Kemi ditë e ditë që na rrotulloni në një debat publik për pagat e gjyqtarëve, a thua ky është halli që ka sot Shqipëria.
Rama na thotë flisni me fakte. Po a nuk është fakt se si pasojë e politikave kriminale të Edi Ramës për zhvatjen e taksave dhe vrasjes së shpresës, Shqipërinë e kanë braktisur mbi 1 milion shqiptarë në këto 13 vite?
Ndaj kryetar i organizatës, jepu sqarime shqiptarëve, për atë që kolegu Braçe pretendoi se nuk ndodhte kurrë, pse i ke futur duart dhe vjedh buxhetin e shtetit më të varfër të kontinentit?
Përse vijon të vjedhësh popullin më të varfër të Europës, me pagat dhe pensionet më mizerbël?
Përse mungojnë çdo vit të paktën 4 miliard euro në buxhetin e shtetit?
Përse nuk ke lënë pëllëmbë tokë pa shitur dhe pa vjedhur?
Mirë opozitës, nuk do t’i përgjigjesh, por pse nuk ke guximin t’i përgjigjesh Arben Ahmetaj, ish-krahut tënd të djathtë, që pretendon se të njeh më mirë dhe më nga afër se sa ne?
Përse nuk përgjigjesh për Ron Yeffet? Jo vetëm ministrën e Mbrojtjes, por edhe ministrinë e Ekonomisë, e kontrolloj unë na tha.
A nuk është fakt se KAYO me 4 kompanitë private bijëza të saj po zhvat buxhetin e shtetit duke suprimuar kontrollin kushtetues mbi paratë publike?
A është fakt se kantina e Gysit u zhduk dhe ende nuk është gjetur?
Jepu sqarime shqiptarëve pse kanë pagat më të ulta në rajon, pse kanë pensionet më mizerabël?
Përse banorëve të bregut po u grabiten tokat dhe bregdeti po betonizohet çdo ditë me resortet e krimit dhe drogës?
Përse nuk ke lënë toka, pyje, miniera, çdo pasuri publike pa e zhvatur?
Përse jo vetëm e nënfinancon bujqësinë, po i vjedh edhe ndihmat europiane?
Përse në raport me bujqësinë nuk krahasohesh dot as me Maqedoninë e Veriut?

Përse nuk u thua shqiptarëve që 13 vite në pushtet nuk arrite dot të zgjidhje çështjen e ujit të pijshëm?
Jep sqarime dhe leri batutat e lodhura.
Nuk ke asnjë vizion dhe je shteruar edhe nga idetë.
E sa për praninë besnike çdo të premte, mjaftojnë thonjtë e tu të pisët në fytin e emigrantit shqiptar duke zbritur shkallët e avionit në Napoli, për të kuptuar se sa hipokrit je.
Uroj shumë se ata murgjit në Athos të të kenë kënduar në vesh për mirë, por fakti që as pas atij këndimi nuk ke ndryshuar, tregon se me ty edhe Zoti ka kryer punë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb