Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me situatën e kompanisë shtetërore KAYO, duke e cilësuar çështjen si një problem serioz për institucionet dhe përdorimin e parave publike.
Në një reagim të gjatë në Facebook, Blushi përdor një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar KAYO-n si “mafia” dhe duke argumentuar se, sipas tij, rasti nuk duhet të trajtohet si një aferë e zakonshme politike.
“KAYO nuk është një skandal i radhës. KAYO është mafia. Shteti është ligji. Mafia dhe shteti nuk mund të bashkëjetojnë”, shkruan Blushi.
Ai pretendon se përmes KAYO-s janë cenuar mekanizmat e kontrollit institucional dhe se paratë publike janë përdorur në kundërshtim me interesin publik. Blushi e lidh gjithashtu çështjen me sigurinë kombëtare, duke argumentuar se KAYO prek sektorë me rëndësi strategjike.
Në reagimin e tij, Blushi akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën dhe përmend edhe Ron Yeffet, duke bërë pretendime për përfshirjen e tyre në vendimmarrjen dhe administrimin e interesave që lidhen me kompaninë. Këto janë akuza politike të bëra nga Blushi dhe jo përfundime të një organi gjyqësor.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit lidhet me kërkesën e opozitës për hetim parlamentar. Blushi shprehet se refuzimi i kësaj kërkese nuk duhet të sjellë mbylljen e debatit, por sipas tij duhet të pasohet nga presion institucional dhe parlamentar.
Reagimi:
𝐊𝐀𝐘𝐎 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐞𝐤𝐬𝐩𝐥𝐨𝐳𝐢𝐯 𝐧𝐞̈ 𝐭𝐡𝐞𝐦𝐞𝐥𝐞𝐭 𝐞 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭
KAYO nuk është një skandal i radhës. KAYO është mafia. Shteti është ligji. Mafia dhe shteti nuk mund të bashkëjetojnë. O do të ekzistojë KAYO, ose do të ekzistojë shteti.
Të dyja bashkë janë të pamundura. Rrugë tjetër nuk ka.
KAYO është prova e asgjesimit të shtetit nga mafia përmes një mekanizmi që vjedh paranë publike përmes puçit kushtetues të suprimimit të ligjit dhe kontrollit institucional.
KAYO ka cënuar rëndë sigurinë kombëtare sepse u tregoi shqiptarëve se “de facto” mafia (Ron Yeffet) është sot Zëvendkryeministër, ministër i Mbrojtjes, i Financave dhe i Energjisë.
KAYO nuk mund të varroset nën zhurmën e radhës politike dhe as të relativizohet si një aferë tjetër që pas disa ditësh harrohet.
KAYO nuk është një abuzim financiar. Është një mekanizëm mafioz përmes të cilit pushteti politik, paratë publike dhe interesat private kanë goditur në themel shtetin ligjor dhe llogaridhënien publike.
KAYO provon se si ngrehina e shtetit është kthyer në mburojë, kompanitë publike në ndërmjetëse dhe puçi kushtetues i suprimimit të kontrollit institucional, si mënyrë për të çuar paratë e shqiptarëve në xhepin e Edi Ramës dhe Ron Yeffet.
Kur ligjet, kontrolli publik dhe institucionet e pavarura suprimohen me mekanizma mafiozë të krijuar nga vetë Edi Rama, nuk kemi më thjesht abuzim me fondet publike, por shkallmim të vetë arkitekturës së shtetit.
Kur kjo lidhet me sektorë me rëndësi strategjike, pasojat nuk maten vetëm në euro. Ato maten me dëmin që i shkaktohet sigurisë kombëtare, besimit te institucionet dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.
Prandaj sot pyetja nuk është më vetëm çfarë ka ndodhur me KAYO-n, por çfarë duhet bërë përballë saj.
Sidomos kur kërkesa kushtetuese e opozitës për një hetim parlamentar është refuzuar, përgjigjja nuk mund të jetë dorëzimi, relativizimi apo pritja që një skandal i ri të mbulojë të vjetrin.
KAYO nuk mund të normalizohet. Nuk mund të relativizohet. Nuk mund të arkivohet.
E vetmja rrugë është reagimi i fuqishëm institucional, parlamentar dhe qytetar.
Një reagim paqësor, masiv dhe i pandalshëm, që të rikthejë sovranitetin e institucioneve te qytetarët dhe ta detyrojë Edi Ramën të japë llogari për çdo vendim, çdo kontratë dhe çdo qindarkë të parave publike.
Presioni institucional, parlamentar dhe qytetar duhet të shkojë deri në fund. Kurrë nuk mund të pranohet një Narkoregjim që Kushtetutën, ligjin, interesin publik dhe paratë e popullit më të varfër të Europës i trajton si plaçkë.
KAYO duhet të jetë pika e vlimit, ku përshkallëzohet përballja. Ku mbaron tolerimi dhe fillon llogaridhënia. Ku shteti shkëputet nga interesat e pushtetit dhe i kthehet qytetarëve.
KAYO duhet të jetë pika e kthesës. Nga frika te guximi, nga heshtja te përshkallimi i revoltës paqësore, nga kapja e shtetit te çlirimi përfundimtar i shtetit.
Kjo përballje pa kthim duhet të jetë aq e fuqishme sa t’i hapë rrugë fundit politik të Edi Ramës dhe llogaridhënies së plotë ligjore për çdo aferë dhe çdo abuzim me paratë e shqiptarëve.
Rrugë tjetër nuk ka.
