Rastet e hetimit të zyrtarëve të lartë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) kanë qenë një tjetër pikë diskutimi gjatë intervistës së deputetit të PD Agron Gjekmarkaj.

Duke u ndalur te çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ai e cilësoi atë si episodin e radhës në vargun e skandaleve të mazhorancës.

 

Gjekmarkaj theksoi se përgjegjësia kryesore për situatën e korrupsionit në vend bie mbi kryeministrin Edi Rama, i cili ka ndërtuar një sistem piramidal kontrolli mbi çdo strukturë shtetërore.

“Ju e mbani mend Edi Ramën kur thonte që nuk e ka fajin individi, por e ka sistemin. Tani dhe sistemi dhe individi janë në të njëjta gjë. Domethënë sistemi mban, le të themi, portretin e kryeministrit dhe kryeministri në anën tjetër ka portretin e sistemit. Kështu që zonja Balluku është një tjetër episod i rradhës mbi të rëndojnë akuza të rënda. Kur erdhi çështja e imunitetit të saj në parlamentin e Shqipërisë muaj më përpara Edi Rama përdori double standard, një standard të dyfishtë duke përdorur le të themi sufizmat e tipit që nuk është akuzuar për korrupsion. Në dijeninë time këto akuza janë shtuar dhe janë rënduar. Mendoj që SPAK do të jetë koherent dhe nuk do të kishte asnjë justifikim nëse pengohej përsëri drejtësia nga ana e politikës, nga ana e qeverisë, nga ana e Edi Ramës, nëse shtrohej çështja e mandatit të saj në parlamentin e Shqipërisë dhe mendoj që duhet të shtrohet”, tha Gjekmarkaj.

I pyetur mbi rolin e kryeministrit në këto hetime, ai shtoi: “Sistemi mban portretin e kryeministrit dhe kryeministri ka portretin e sistemit. Ne jemi në një arenë ku gëzohemi me personazhet e radhës, por perandori është atje sipër dhe e shijon lojën. Çështja kryesore është tek perandori.”

“Mendoj që përgjegjësinë kryesore për çdo gjë le të themi madje nëse do për gjërat pozitive që ka bërë qeveria si meritë, por më shumë për atë koleksion gjërash negative që na shoqërojnë në jetën e përditshme deri tek emrat që përmendëm, skandalet e tyre korrupsioni, akuzat, krejt sistemi, se ne kemi dhe AKSHI-n që është një gropë tjetër e madhe, e zezë dhe e turpshme. Të gjitha këto lidhen me emrin e kryeministrit, sepse ai është, le të themi, figura qendrore, figura kontrolluese dhe ka ndërtuar një sistem të tillë si ai i patronazhimit të shoqërisë. Është patronazhimi i brendshëm piramidal i pushtetit, ku ai ka të gjithë njerëzit e tij që nuk mund të lëvizin, mendoj as qerpikun pa marrë miratimin e tij. Po kështu që mund të zgjidhet një episod, mund të veprojë drejtësia, por fenomeni mbetet, problemi mbetet dhe do të kemi të tjerë personazhe dhe duket sikur ne jemi në një arenë ku gëzohemi me personazhet e radhës, por në fakt perandori është atje sipër dhe e shijon lojën. Çështja kryesore është tek perandori”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb