Bedri Islami ka folur për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për periudhën kur u krijua kjo gjykatë.

Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, Islami tha se vendimi e kishte shokuar, ndërsa u shpreh se gjatë luftës në Kosovë kanë ndodhur ngjarje të ndryshme, të cilat, sipas tij, duhen parë në kontekstin e kohës.

“Ka qenë kohë lufte. Nuk duhet të harrojmë që ka qenë kohë lufte. Nuk duhet të harrojmë se përballja me serbët dhe lufta kanë qenë të tmerrshme dhe nganjëherë zemërimi vetjak i ka dërguar njerëzit të bëjnë akte të cilat sot quhen të dëmshme ose të dënueshme”, deklaroi Islami.

Ai tha se një nga çështjet kryesore që duhet parë është nëse veprimet e kryera gjatë luftës kanë pasur një hierarki dhe nëse kanë qenë pjesë e një metode të organizuar pune.

Islami tregoi se ndodhej në Kosovë kur u dha vendimi, për shkak të punës së tij për një libër të ri mbi Kosovën dhe familjen Jashari.

“Natyrisht u shokova. Megjithëse nga dëgjimi i asaj pjese të vendimit isha i bindur, në fund kishte dënimi”, tha ai, duke shtuar se beson se Gjykata e Apelit mund ta ndryshojë situatën.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës së Islamit lidhej me periudhën kur u diskutua krijimi i Gjykatës Speciale. Ai theksoi se Hashim Thaçi kishte qenë nën presion të madh nga përfaqësues ndërkombëtarë, duke përmendur veçanërisht përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Francës.

“I thoshin: ‘Duhet ta nënshkruash, duhet ta bësh patjetër’”, u shpreh Islami.

Sipas tij, Thaçi ishte i vetëdijshëm se miratimi i Gjykatës Speciale mund të kishte pasoja edhe për të personalisht.

“Unë i kam thënë direkt: ‘Do të shkosh në qoftë se e bën këtë punë’. Ka thënë: ‘Duhet ta bëj këtë punë’”, tregoi Islami.

Ai shtoi se Thaçi kishte shpresuar që procesi gjyqësor do të përfundonte ndryshe. “E dinte se do të shkonte, por kishte gjithnjë shpresën se drejtësia do të kuptonte edhe të fundit”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb