Eden Qosja, student i Universitetit “Luarasi”, ka treguar eksperiencën e tij me programin akademik të London School of Economics and Political Science (LSE), duke theksuar se ajo që e ka bindur më shumë është mënyra se si njohuritë teorike ndërthuren me analizën dhe situatat reale të biznesit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, Qosja tregoi se në momentin kur u regjistrua kishte pikëpyetje nëse programi do të arrinte të përmbushte standardet dhe kërkesat akademike të LSE. Por pas eksperiencës së deritanishme, ai tha se perceptimi i tij ka ndryshuar.

“Kur u regjistrova kisha pikëpyetje në lidhje me programin dhe nëse do të përmbusheshin kërkesat e LSE. Tashmë kam kuptuar që vlera qëndron në mënyrën se si mësohet analizimi, jo vetëm mësimi i teorisë. Gjithçka lidhet me situata reale të biznesit. Tashmë ndihem më i përgatitur për tregun ndërkombëtar”, u shpreh Qosja.

Sipas studentit të “Luarasit”, programi nuk kufizohet vetëm te marrja e njohurive akademike, por synon të zhvillojë aftësi që i përgatisin studentët për të konkurruar përtej tregut shqiptar.

“Nuk është veç një program studimi, por një mundësi formimi që të përgatit më shumë për të konkurruar në një mjedis ndërkombëtar”, theksoi ai.

Duke iu drejtuar edhe maturantëve që ndodhen përpara zgjedhjes së universitetit dhe programit ku do të vijojnë studimet, Qosja tha se vendimi nuk duhet të mbështetet vetëm te emri i degës, por te ajo që programi ofron realisht dhe aftësitë që studenti fiton gjatë tij.

“Maturanti nuk duhet të bazohet vetëm në emrin e programit, duhet të kuptojë vlerën e vërtetë. Sot nuk kam më pikëpyetje, por kam krijuar siguri”, deklaroi Eden Qosja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb