Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Takimi u konfirmua të martën nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Biseda mes dy diplomatëve të lartë pritet të zhvillohet në një kohë kur presioni ndërkombëtar lidhur me luftën në Ukrainë mbetet i lartë. Takimi do të mbahet në të njëjtën ditë kur Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është planifikuar të mbajë fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Zyra e Marco Rubios konfirmoi se takimi me Lavrovin është pjesë e një serie takimesh dypalëshe që Sekretari amerikan i Shtetit do të zhvillojë në Nju Jork gjatë Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së.

Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi axhendën e bisedimeve. Kontakti mes Uashingtonit dhe Moskës zhvillohet në një klimë të tensionuar, me mosmarrëveshje të vazhdueshme mes dy vendeve lidhur me luftën në Ukrainë dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: