Eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, ka komentuar zhvillimet e fundit pas masës së “arrestit në shtëpi” ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke ngritur shqetësime të forta për sigurinë kombëtare dhe institucionet shtetërore. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Semanaj tha se situata tregon, sipas tij, për një problem të thellë në funksionimin e shtetit. Ai e cilësoi Shqipërinë si një “shtet kriminal” dhe deklaroi se zanafilla e kësaj situate, sipas tij, lidhet me AKSHI-n.

Semanaj ngriti gjithashtu pyetje mbi reagimin e institucioneve më të larta të shtetit, duke përmendur Presidentin Bajram Begaj dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sipas tij, në një situatë të tillë do të duhej të kishte një reagim institucional dhe mbledhje të këtij këshilli. Eksperti kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, janë zhvilluar raportimet dhe mbledhjet në institucionet e sigurisë. Ai tha se zyrtarët e SHISH-it duhet të kishin si detyrë mbrojtjen e vendit, ndërsa ngriti pretendime të rënda për raportime te persona të përfshirë në veprimtari kriminale.

Semanaj kujtoi gjithashtu se drejtuesja e SHISH-it ishte thirrur më herët në një komision për të raportuar lidhur me rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve, por nuk ishte paraqitur. Duke iu referuar masës së sigurisë ndaj Hysenit, eksperti tha se bëhet fjalë për një situatë të pazakontë, ndërsa theksoi se vendimi i gjykatës për arrestin në shtëpi nuk do të thotë automatikisht se personi është fajtor.

“Kemi të bëjë me një shtet kriminal, edhe pse SPAK ka nisur hetimet. Zanafilla e kësaj ngjarje është AKSHI. U bë vite që denoncojmë AKSHI-n. Unë nuk jam marrë me tenderat, por me sigurinë kombëtare. Në një moment kur kemi në arrest shtëpie drejtuesen e AKSHI-t, kreun e SHISH, jo është cënuar siguria kombëtare, por nuk kemi më të tillë. Habitem se si nuk reagon presidenti Begaj, se duhej minimalisht të mblidhej Këshilli i Sigurisë. Më vjen çudi dhe për të qeshur se si është organizuar mbledhja e Këshillit të Sigurisë, ku anëtarët e SHISH do të duhej të ruanin Shqipërinë, por raportonin te krimi. U kërkua që zonja të paraqitej në komision për të raportuar për rrjedhjen e të dhënave të shqiptarëve, por nuk erdhi. Se ndoshta në atë orar ishte duke raportuar te krimi. Në raste kaq emergjente, ku kemi kaq fakte, se ka ndërhyrë dhe flet gjykata, e cila pranoi kërkesën për ‘arrest shtëpie’ për drejtuesen e SHISH që nuk ka ndodhur ndonjëherë. Por se sa këto fakte mund ta shpallin të fajshme, se dimë. Por fakte ka. Ne ende se dimë se kush kishte akses te TIMS-i. Nuk e dimë se çfarë është bërë për hetimet me Hipotekat.”, tha ai.
Në vijim, ai ngriti pikëpyetje edhe për sigurinë e sistemeve shtetërore, duke thënë se ende nuk është bërë e qartë se kush kishte akses në sistemin TIMS dhe çfarë është bërë me të dhënat apo hetimet që lidhen me Hipotekat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb