Kombëtarja e Kosovës U19 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë të raundit të dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027, në kuadër të Ligës A.
Dardanët e rinj u mposhtën nga Skocia me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Broadwood”.
Golin e vetëm të ndeshjes për kombëtaren skoceze e realizoi Tommy North, në minutën e 31-të.
Kujtojmë se në ndeshjen e parë të këtij raundi, Kosova U19 ishte mposhtur nga Belgjika me rezultat 2:0.
Ndeshjen e fundit në këtë raund, Kosova U19 do ta zhvillojë më 17 nëntor kundër Kazakistanit.
Ndërkohë, tri kombëtaret e para nga secili grup do të vazhdojnë garën në raundin e tretë. Shorti për këtë raund do të tërhiqet më 10 dhjetor.
