Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka përmbyllur sot në Malësinë e Madhe takimin e parë të nismës “Udhëtimi në Shqipëri”, një tur që do ta çojë institucionin në disa bashki të vendit për të dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet e qytetarëve dhe problematikat që ata hasin në aksesin ndaj shërbimeve publike.

Takimi i zhvilluar këtë të mërkurë, më 23 shtator, shënoi nisjen e kësaj nisme dhe pati një pjesëmarrje të gjerë të banorëve të zonës, përfaqësuesve të institucioneve vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve në situata vulnerabiliteti.

Ndryshe nga aktivitetet e zhvilluara brenda zyrave të institucionit, “Udhëtimi në Shqipëri” synon ta zhvendosë dialogun në terren, pranë komuniteteve, për të evidentuar pengesat konkrete me të cilat përballen qytetarët në ushtrimin e të drejtave të tyre.

Në Malësinë e Madhe, diskutimi u përqendrua veçanërisht tek aksesi i barabartë në shërbimet publike dhe vështirësitë që krijohen për banorët e zonave të largëta.

“Kemi zgjedhur të fillojmë këtë tur pikërisht me temën e barazisë në aksesin ndaj shërbimeve publike, sepse besojmë se kjo është një nga fushat ku diskriminimi shpesh është më pak i dukshëm, por me pasoja shumë më të prekshme në jetën e njerëzve”, deklaroi Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa (Bungo).

Duke u ndalur te specifikat e Malësisë së Madhe dhe zonave të tjera malore të vendit, Tafa theksoi se largësia nga qendrat administrative, infrastruktura rrugore dhe kushtet e motit mund t’i vendosin banorët e këtyre zonave në kushte të ndryshme krahasuar me qytetarët që jetojnë në qendrat urbane.

“Malësia e Madhe, si shumë zona të tjera malore të vendit tonë, përballet me sfida specifike që, në mendimin tim, meritojnë vëmendje të veçantë kur flasim për barazinë në akses. Largësia gjeografike nga qendrat administrative, infrastruktura rrugore ndonjëherë e vështirë, kushtet e motit gjatë stinëve të caktuara, të gjitha këto krijojnë kushte të ndryshme aksesi krahasuar me zonat urbane”, u shpreh ajo.

Komisionerja ngriti gjithashtu çështjen e diskriminimit indirekt, duke theksuar se pabarazia nuk lidhet domosdoshmërisht me një veprim të qëllimshëm diskriminues.

“Kur shërbimet publike, për shkak të kushteve gjeografike apo organizative, nuk arrijnë njësoj te të gjithë qytetarët, kjo mund të përbëjë diskriminim indirekt në kuptimin që ligji ia njeh këtij termi, edhe pse askush nuk e ka pasur si qëllim të diskriminojë askënd”, deklaroi Tafa.

Gjatë takimit, banorët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe pushtetit vendor paraqitën një sërë shqetësimesh dhe vështirësish me të cilat përballen në jetën e përditshme.

Komisionerja dhe ekipi i KMD-së dëgjuan problematikat e ngritura, ndërsa informuan pjesëmarrësit për të drejtat që garanton legjislacioni për mbrojtjen nga diskriminimi, mekanizmat institucionalë që kanë në dispozicion, si dhe procedurat që duhet të ndjekin për të paraqitur një ankesë pranë institucionit.

Malësia e Madhe është vetëm ndalesa e parë e turit. “Udhëtimi në Shqipëri” do të vijojë më 24 shtator në Fushë-Arrëz dhe më pas në Kukës, Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë dhe Përmet.

Nisma është parashikuar të përmbyllet më 2 dhjetor në Rrëshen, Mirditë. Në secilën prej ndalesave, KMD do të vendosë në qendër çështje që lidhen me barazinë dhe mbrojtjen nga diskriminimi, me synimin që shqetësimet e qytetarëve të dëgjohen drejtpërdrejt në komunitetet ku ata jetojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb