Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës gjatë dy operacioneve të zhvilluara brenda 24 orëve, për goditjen e rasteve të posedimit të armëve pa leje.

Në kuadër të operacioneve të koduara “Qëllimi” dhe “Kontrolli”, policia sekuestroi 3 armë, municion luftarak, 17 kapsolla elektrike, një shënjester optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.

Në operacionin “Qëllimi”, Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestoi 36-vjeçarin A. Z., me precedent penal.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën një pistoletë dhe një armë automatike, municion luftarak, një shënjester optike, dy mjete prerëse dhe një peshore elektronike.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Kontrolli”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan 28-vjeçarin F. L. në fshatin Brret.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti një armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike, të cilat dyshohet se posedoheshin pa leje.

Sipas policisë, hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar nëse dy personat e arrestuar janë të përfshirë në veprimtari të tjera kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb