Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në institucionet e drejtësisë dhe çështjen që lidhet me dyshimet për nxjerrje të sekreteve shtetërore.
Gjatë fjalës së saj, Koçeku iu referua vendimit të GJKKO-së për masat e sigurisë ndaj një zyrtareje, duke thënë se ajo dyshohet se ka nxjerrë sekrete shtetërore dhe ka ndihmuar Ergys Agasin, personin që, sipas saj, është nën akuzë.
“Këtë javë GJKKO vendosi arrest shtëpie dhe pezullim detyre , dyshohet se ka nxjerrë sekrete shtetërore dhe ka ndihmuar Agasin, njeriun që akuzohet. Këto dy ditë kemi dëgjuar dy teza, njëra thotë ra shteti dhe tjetra u pjek drejtësia. Kryeministri shkroi nga New York , dhe kërkoi edhe ndjesë për vonesën e reagimit për shkak të orareve por për garancinë jo. Tek ne ai që garanton për tjetrin quhet dorëzanë, dhe dorëzani del vet e përgjigjet. Në fund të qershorit drejtoresha e SHISH mbi 2 orë foli për rreziqe ndaj sigurisë tonë kombëtare dhe krimin e organizuar dhe ky Kuvend e dëgjoi. Kryeministri sapo të kthehet duhet të vijë në sallë dhe të na thotë çfarë dinte. E dyta një vlerësim të plotë të dëmit para komisionit të Sigurisë. Dhe kreu i ri i SHISH para se të dekretohet të vijë para Kuvendit dhe t’i përgjigjet pyetjeve tona”, tha Koçeku.
