Gazetarja e News24, Klodiana Lala ka reaguar pas shantazhit nga ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, mesditën e kësaj të enjte teksa po i drejtohej GJKKO-së për t’u njohur me masën e sigurisë arrest shtëpie. Në studion e “Minuta e Parë” me Ola Bruko, në News24, Lala tha se akuzat e Hysenit janë të pabaza, ndërsa shtoi se tendenca ishte për të frikësuar mediat dhe gazetarët që raportojnë lidhur me aferat e ish-drejtueses së SHISH.

“Përbuz me neveri çdo akuzë. Mu duk si përpjekje e dëshpëruar e zonjës për të më kërcënuar për shkak të detyrës që unë bëj, por që nuk ia doli dot mbanë sepse unë dhe News24 kemi dëshmuar se edhe në momente të vështira raportojmë me profesionalizëm, paanësi dhe integritet. Zonja duhet të kërkojë falje publike, është në nderin e saj, në nderin e institucionit që ka drejtuar dhe në nderin e një gruaja qe nëse edhe mund të rrisë fëmijë”, tha Lala.

Klodiana Lala tha se, si nënë, ndihet e lënduar, por si gazetare nuk është e shqetësuar dhe paralajmëroi se nuk do të tërhiqet nga raportimi i dosjeve të nxehta, përfshirë edhe atë të Vlora Hysenit, e cila, sipas saj, përmban detaje tronditëse.

“Si nënë u lëndova, si gazetare nuk më shqetëson aspak sepse jo Vlora Hyseni, por askush nuk më kërcënon dhe nuk më shantazhon në detyrën time dhe këtë e kam dëshmuar në më shumë se 23 vite punë edhe kur mbi familjen time, mbi vajzat e mia janë qëlluar plumba dhe kanë vënë në rrezik jetën e tyre. Do të vazhdoj të merrem me dosjen dhe aferat e zonjës Hyseni. Është dosja më tronditëse dhe kjo ka tronditur jo vetëm zonjën Hyseni”, theksoi gazetarja.

Ajo paralajmëroi se do t’i drejtohet SPAK-ut me kallëzim penal, lidhur me kërcënimin e Hysenit. “Kam folur me avokatin Dorjan Matlija për të bërë gati materialin dhe për t’ia dërguar SPAK-ut. Askush nuk mund të më njollosë emrin. Zonjën nuk e nxjerr dot unë nga gjirizi ku është futur, hesapet i ka me drejtësinë dhe jo me median. E pashë si mesazh që i adresohej gjithkujt dhe çdo njeriu që mund të flasë kundër zonjës Hyseni. Ishte një përpjekje e saj e dëshpëruar për të thënë se kam në duar sekrete dhe mund t’ju shantazhoj. Ka kryer një vepër të rëndë penale në dyert e SPAK dhe GJKKO”, tha më tej Klodiana Lala.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb