Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marko Alberti, ka dhënë një prononcim për mediat gjatë një vizite në qytetin e Korçës, ku u ndal te zhvillimet më të fundit politike dhe ato të drejtësisë që kanë përfshirë vendin.
I pyetur nga gazetarët lidhur me situatën e tensionuar politike, diplomati italian u shpreh se Roma zyrtare po vëzhgon me kujdes çdo zhvillim, ku kryefjalë mbeten protestat e vazhdueshme të opozitës dhe hetimet e SPAK-ut ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë.
“Atëherë ne i ndjekim me vëmendje protestat. Sigurisht që nuk i përket, nuk është detyrë e një ambasadori që përfaqëson një shtet të caktuar, të shprehet apo të prononcohet për këtë. Ne jemi duke e ndjekur situatën dhe respektojmë çfarë ndodh.”
Sa i përket arrestit shtëpiak të vendosur për Vlora Hysenin, ish-drejtoreshën e SHISH, Alberti përgjigjet:
“Atëherë unë nuk mund t’ju jap asnjë përgjigje lidhur me këtë sepse ne merremi pra ose trajtojmë çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe nuk mund të kem asnjë mendim lidhur me këtë çfarë po më pyesni.”
Nga ana tjetër, Alberti foli edhe për bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve mike dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Atëherë unë mund të ndalem te angazhimi i Italisë për ta rritur praninë e saj në Shqipëri dhe faktikisht Italia po përpiqet që t’i japë një përmbajtje tjetër marrëdhënieve strategjike me Shqipërinë. Kemi ndërkohë investime në Shqipëri të cilat kapin shifrën e rreth 1 miliard euro. Gjithashtu krahas investimeve të tjera do të realizohen ose do të mundësohen 600 apo 700 vende të reja pune. Dhe është e rëndësishme që t’i jepet një përmbajtje tjetër këtyre marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona sepse ne jemi të mendimit që forcimi i marrëdhënieve në fushën e ekonomisë ndihmon sigurisht edhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu sektorë të rëndësishëm ku ne jemi të pranishëm është ai i inteligjencës artificiale e në sektorin digjital, në industrinë e mbrojtjes e kështu me radhë. Pra synimi ynë nëpërmjet pranisë tonë këtu është që këtë të rinj apo fëmijët e sotëm të cilët në të ardhmen do të jenë të rritur të qëndrojnë në Korçë, të japin kontributin e tyre, pra ne të forcojmë marrëdhëniet tona në mënyrë që të ndihmojmë të rinjtë apo popullatën që të punojë dhe jetojë në Shqipëri duke dhënë ndihmesë për rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë.”
Ambasadori mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Bibliotekës së Fëmijëve “Thoma Turtulli”, pas rikonstruksionit dhe transformimit të saj në një hapësirë moderne për fëmijët, leximin, dijen dhe kreativitetin.
