Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera gjatë kontrolleve të zhvilluara në dy lokacione në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, kontrollet janë kryer më 27 shtator, pas informatave të pranuara se në fshatin Dren të Leposaviqit dhe në fshatin Shipovë të Zubin Potokut mund të gjendeshin armë dhe mjete të tjera të kundërligjshme.

Në rastin e parë, gjatë kontrollit në një objekt të përdorur si stallë në fshatin Dren, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë përsëritëse M-56, një pistoletë CZ-99 të kalibrit 9 mm dhe një pistoletë CZ Mod-70 të kalibrit 7.65 mm.

Gjatë kontrollit janë gjetur gjithashtu 99 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 10 fishekë të kalibrit 7.65 mm.

Në lidhje me këtë rast është arrestuar S.V., i lindur në vitin 1971. Ai është intervistuar në Stacionin Policor në Leposaviq, në prani të avokatit mbrojtës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, S.V. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Ndërkohë, një tjetër aksion është zhvilluar në fshatin Shipovë të Zubin Potokut, ku policia ka kontrolluar një shtëpi të pabanuar. Gjatë bastisjes është gjetur një pushkë automatike AK-47, së bashku me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë të kalibrit përkatës.

Në të njëjtin lokacion janë sekuestruar edhe një pushkë gjuetie M-48, 186 fishekë për armë të gjatë, një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim.

Për rastin në Shipovë, policia ka bërë me dije se deri tani nuk është arrestuar asnjë person.

Sipas Policisë së Kosovës, me urdhër të prokurorit të shtetit, për të dyja rastet është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kontrollet dhe sekuestrimet janë kryer në kuadër të veprimeve të Policisë së Kosovës për identifikimin dhe parandalimin e posedimit të paligjshëm të armëve në veri të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb