Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar kategorikisht raportimet se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve të ngrira, në këmbim të rishikimit të programit të tij bërthamor.
Reagimi i Trump erdhi pasi Axios raportoi, duke cituar zyrtarë amerikanë, se administrata amerikane ishte e gatshme të shqyrtonte lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit, ndërsa ndërmjetësues nga Katari dhe Pakistani po përpiqen të afronin palët drejt një marrëveshjeje.
“Axios sapo publikoi një histori se ‘Trump’ i ofroi Iranit lehtësim të sanksioneve dhe fonde të ngrira. Kjo është e pavërtetë. Unë nuk i ofrova asgjë!”, shkroi Trump në Truth Social. Presidenti amerikan e cilësoi raportimin si të rremë dhe kërkoi që ai të tërhiqej menjëherë.
Sipas raportimit të Axios, ndërmjetësuesit nga Katari dhe Pakistani u takuan me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi në Nju Jork, ndërsa pritej që përfaqësuesit e Katarit të zhvillonin kontakte edhe me administratën Trump. Një zyrtar amerikan i përshkroi bisedimet indirekte si “pozitive dhe konstruktive”, duke thënë se Irani kishte treguar fleksibilitet për çështjet bërthamore.
Megjithatë, sipas zyrtarëve amerikanë, nuk mund të ketë marrëveshje nëse programi bërthamor i Iranit nuk trajtohet. Palët mbeten ende të ndara për kohën e zbatimit të angazhimeve dhe për atë se cila palë duhet të ndërmarrë hapat e parë.
Trump ka deklaruar se pret që zyrtarët amerikanë të negociojnë me Iranin gjatë kësaj jave, por ka paralajmëruar gjithashtu se po shqyrton vazhdimisht mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit.
Ndërkohë, Teherani ka kërkuar disa lëshime nga Uashingtoni, mes tyre përfundimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, lehtësimin e sanksioneve ndaj shitjeve të naftës dhe shtrirjen e çdo armëpushimi edhe në Liban.
Këto kërkesa ishin pjesë e një propozimi iranian për një armëpushim shtatëditor, të cilin Trump e kishte refuzuar. Ambasadori amerikan në OKB, Mike Ualtz, tha se Irani kishte kërkuar që të gjitha përfitimet të jepeshin menjëherë, përfshirë lehtësimin e sanksioneve amerikane dhe sanksionet e “snapback”-ut të vendosura nga Kombet e Bashkuara.
Pavarësisht mohimit të fortë të Trump, përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë përmes ndërmjetësimit të Katarit dhe Pakistanit.
