Një 64-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Vlorë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ai ishte dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Apelit e Peruxhias për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë”.

Policia e Vlorës njofton se arrestimi u krye në lagjen “Hajro Çakërri”, në kuadër të operacionit të koduar “Strike 8”. I arrestuari, me inicialet A. B., 64 vjeç dhe banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.

Operacioni u organizua nga Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e tij.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e 64-vjeçarit drejt Italisë, ku duhet të vuajë dënimin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: