Në pak ditë, Zinedine Zidane bëri një rotacion thuajse të plotë, ku ndaj Belgjikës kishte hedhur një formacion ndryshe, me 9 ndryshme në raport me sfidën e parë, atë ndaj Turqisë, mbi të gjitha pa kapitenin Kylian Mbappe. Pavarësisht këtij detaji, Franca e tij jo vetëm që nuk stonoi, por doli me pikë të plota pas suksesit 0-1.

Sigurisht, nuk është ajo Francë brilante, që në Botëror zhvilloi një presion asfiksues ofensivë, por Zidane është vetëm në ditët e tij të parë në krye të “gjelave”. Doue ishte rreziku kryesor për formacionin e Zidane, ku sulmuesi i PSG goditi shtyllën që në fillim pas një aksioni të bukur personal. Sfida u zhvillua thuajse me një drejtim, me Francën që tentoi 18 herë të gjente golin, por situata ndryshoi totalisht pas minutës së 77-të, ku Zidane hodhi në fushë dyshen Cherki-Olise. Sulmuesi i Bayern Munich zhbllokoi sfidën në minutën e 88-të me një aksion personal, ku u lëshua “zjarr” që nga gjysmë fusha duke finalizuar më pas me plot klas, një gol që solli festë edhe tek Zinedine Zidane. Goli i Olise në fund rezultoi një 3 pikësh, me Francën që kryeson me 6 pikë të plota pas 2 ndeshjeve.

Pas këtij suksesi, Zidane u shfaq i kënaqur jo vetëm për këtë fitore, por edhe për mënyrën e lojës që nuk ndryshoi edhe pse kishte bërë 9 ndryshime: “Edhe në këtë sfidë, ashtu si ndaj Turqisë, kemi bërë mirë. U treguam të zotë, zhvilluam presing ndaj një skuadre të madhe si Belgjika. Treguam kurajo duke luajtur në gjysmëfushën e tyre, kjo është pikërisht ajo që duam. Ndryshimet e kryera? Nuk ekziston një skuadër tip, të gjithë lojtarët duhet të jenë gati, më pas zgjedhjet më takojnë mua”, u shpreh Zidane në konferencë për shtyp.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: