Një incident i dyshimtë pranë bazës ajrore britanike RAF Fairford ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi natyrën e ngjarjes dhe personat që mund të jenë të përfshirë. Pesë shtetas britanikë nga Londra, të arrestuar pas një operacioni të gjerë kundër terrorizmit, janë liruar me kusht, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet.

Ngjarja nisi në orët e para të së dielës, kur policia u sinjalizua për praninë e tre furgonëve të dyshimtë pranë bazës, në zonën e Uhelford, në Gloucestershire.

Autoritetet aktivizuan menjëherë një operacion të madh sigurie, duke izoluar zonën dhe duke larguar banorët nga shtëpitë e tyre për rreth 36 orë. Në vendngjarje u angazhuan edhe ekipe të specializuara, përfshirë robotë për neutralizimin e mjeteve të dyshuara shpërthyese.

Pesë personat u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra që lidhen me eksplozivët dhe terrorizmin. Megjithatë, të hënën policia kundër terrorizmit njoftoi se të gjithë ishin lënë të lirë me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Vendimi i autoriteteve britanike shkaktoi reagime në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Donald Trump tha se ai nuk do të kishte marrë të njëjtin vendim dhe deklaroi se autoritetet amerikane kishin informacion mbi personat e arrestuar. I pyetur nëse ngjarja mund të kishte lidhje me Iranin, Trump u përgjigj se “mund të ketë”, pa dhënë detaje të tjera.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi situatën si serioze. Ai deklaroi se ngjarja “qartazi përfshin dorën e një aktori të huaj”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb