Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kundërshtuar idenë e një integrimi gradual të vendit me të drejta të kufizuara. E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Tabaku tha se Shqipëria duhet të synojë anëtarësimin e plotë në BE dhe jo një proces ku vendi do të kishte qasje vetëm në disa institucione apo tryeza.

Tabaku e ndau çështjen në dy plane, duke thënë se Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë një mundësi të rëndësishme, por sipas saj vendet kandidate duhet të kishin punuar më shumë për të avancuar në procesin e integrimit.

Ajo solli si shembull Malin e Zi, duke e krahasuar ecurinë e tij me atë të Shqipërisë. “Krahasoj Malin e Zi me Shqipërinë, por ai sot ka mbyllur 17 kapituj dhe Shqipëria s’ka filluar akoma”, deklaroi Tabaku.

Sipas saj, propozimi për një integrim gradual nuk duhet mbështetur në parim, pasi mund të sjellë kufizime në të drejtat e vendeve që nuk janë ende anëtare të plota. Tabaku përmendi mundësinë e përfshirjes në disa institucione dhe jo në të gjitha, pjesëmarrjen në disa tryeza, por pa të drejtë vote.

“Dua ta shoh në dy plane se KE i ka ofruar një mundësi të madhe Shqipërisë. Vendet kandidate duhet të kishin punuar. Krahasoj Malin e Zi me Shqipërinë, por ai sot ka mbyllur 17 kapituj dhe Shqipëria s’ka filluar akoma. Nuk e mbështes këtë propozim në parim. E shoh me vendet problemin. Ka kufizime të të drejtave. Integrimi gradual në disa institucione dhe jo të gjitha. Ulje në disa tryeza dhe mosmarrje të së drejtës së votës. Shqipëria nuk ka asnjë zgjidhej tjetër, përveç anëtarësimit me vota të plota.”, tha deputetja e PD-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: