Pas çdo proteste në Shqipëri, lind pyetja: “Sa njerëz ishin në shesh?”. Por pyetja që duhet të shtrojmë direkt pas saj është se çfarë panë ata që nuk ishin aty.
Në fillimet e luftës së 2026-ës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, një video u shpërnda masivisht në rrjetet sociale, ku paraqitej Burj Khalifa në Dubai, e mbuluar nga flakët, me njerëzit që vraponin të frikësuar. Dhjetëra mijëra njerëz e panë dhe e besuan atë video, duke mos e ditur që ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale. Videot nuk ndaluan aty, por vazhduan më tej, duke treguar pamje të llahtarshme që po ndodhnin në qytete të mëdha të botës dhe vendeve në fjalë. Një video e gjeneruar me AI e anijes luftarake USS Abraham Lincoln në flakë u besua edhe nga vetë presidenti, derisa u konfirmua që, në fakt, anija ishte e paprekur. Të tilla video janë përdorur me mijëra herë, për të krijuar mendimin se një palë po fiton ndaj një tjetre, për të nxitur urrejtje, për të krijuar një bazë të madhe ndjekësish etj.
Trillimet janë duke ardhur nga çdo anë e internetit, duke përfshirë këtu aktivistë të famshëm, llogari të lidhura me vetë qeveritë botërore dhe njerëz të thjeshtë që kërkojnë përfitim personal. Kjo është bota në të cilën jetojmë tani, ku algoritmet vendosin çdo gjë që shohim dhe ku i japin shikueshmëri informacionit shokues, që ngjall emocione, dhe jo atij që është real. Në shumë raste, chatbot-et me AI, si për shembull Groku, kanë konfirmuar informacione të gabuara dhe video të gjeneruara me AI, duke na lënë të kuptojmë se një gënjeshtër që qarkullon në internet ka më shumë gjasa të marrë më shumë vëmendje sesa një fakt.
Në Shqipëri, protesta ndodh dy herë. Ndodh njëherë në shesh, me njerëz realë, zëra realë, kërkesa reale. Ndodh edhe një herë të dytë, në rrjetet sociale. Është pikërisht kjo hera e dytë që vendos se si do të mbahet mend hera e parë. Një turmë me mijëra njerëz mund të paraqitet lehtësisht si 10 veta, një marshim paqësor mund të transformohet në një protestë të dhunshme dhe qëllimi i daljes në protestë mund të manipulohet lehtësisht, siç e kemi parë në shumë video që janë publikuar nga mediat e huaja, të cilat anashkalojnë faktin që qëllimi kryesor i
protestës është dorëheqja e Edi Ramës dhe rënia e regjimit, dhe jo sulmi ndaj familjes Trump/Kushner. Shumica e shqiptarëve, të cilët nuk janë në atë shesh, do të krijojnë mendimin e tyre në bazë të këtyre videove dhe informacionit që qarkullon online.
Kjo do të thotë që mënyra e vjetër e të protestuarit nuk mjafton më në 2026. Dalja në shesh ka rëndësinë e vet, por rezultati i saj varet nga çfarë do të shkruhet online.
Të fitosh luftën dixhitale nuk do të thotë të prodhosh informacion fallco për të luftuar informacionin fallco, por të përpiqesh të dokumentosh çdo gjë, edhe detajin më të vogël, të dish si ta transmetosh në rrjete sociale dhe të kuptosh se si funksionon algoritmi dhe “manipulimi” i tij. Gjysherit tanë besonin atë që shihnin me sytë e tyre. Prindërit tanë, atë që shohin në televizor. Brezi ynë nuk duhet t’i besojë asnjërit, por duhet të luftojë vetë për të kërkuar të vërtetën. Sheshi do të jetë gjithmonë aty, mund të dalim në çdo kohë. Por ekrani është vendi ku dëgjohet zëri ynë dhe ku fshihen zëra të tjerë. Kush fiton luftën dixhitale, ka fituar të ardhmen.
Por beteja dixhitale nuk fitohet vetëm duke dokumentuar atë që ndodh në shesh. Duhet të mësojmë të konkurrojmë me informacionin e rremë duke kuptuar si funksionon interneti dhe çfarë e shtyn një lloj informacioni përpara. Duhet të krijojmë përmbajtje të saktë, por njëkohësisht të strukturuar në mënyrat që njerëzit i ndjekin më shumë, për shembull, video të shkurtra në formatin Reels, me tituj të qartë, cilësi të lartë, përmbajtje në disa gjuhë, me disa njerëz, të shpërndara në mënyrë konsistente në shumë platforma.
Duhet mësuar përdorimi i AI-së, por jo për të nxitur informacionin e rremë, por për të pasur mundësinë të përkthehen ngjarjet në disa gjuhë, me vënien e titrave të cilat e bëjnë të mundur mbajtjen e narrativës konsistente edhe në mediat e huaja, duke lënë pak hapësirë për manipulim. Duhet të monitorohen në kohë reale videot me shikueshmëri të lartë, të cilat
bëhen trend duke shpërndarë ngjarje të rreme, në mënyrë që të “luftohen” dhe të hidhen poshtë pa lënë mundësinë e përhapjes. Ky lloj trajnimi, i cili instinktivisht mund të duket si trajnim bazë i gazetarisë, në 2026 është i domosdoshëm të adoptohet nga secili prej nesh, pasi koha ka mundësuar që çdo person me telefon dhe rrjete sociale të mund të prodhojë informacion pa pasur barriera. Pra, nuk mjafton që e drejta të jetë në anën tonë, por duhet edhe ta bëjmë atë të dëgjohet.
*Departamenti Brain Gain, anëtare
