Edison Lika, një prej protestuesve, ka njoftuar një aksion të ri të paralajmëruar nga grupi i studentëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë. Në një deklaratë nga protesta, Lika tha se muaji tetor do të shënojë, sipas tij, një fazë të re të aksioneve të tyre.

Lika tregoi se së bashku me një grup studentësh kishin shkuar në QSUT, ku kryeministri Edi Rama ndodhej për të përuruar disa investime. Sipas tij, studentët i kanë bërë thirrje Ramës dhe kanë përsëritur kërkesën e tyre për arrestimin e tij.

“Sot është 1 tetor, ky do të jetë Tetori i Studentëve. Sot së bashku me një grup studentësh morëm vesh që Rama do të ishte në QSUT për të përuruar disa investime. Shkuam dhe ia thamë në sy thirrjen që kemi kohë që e themi në shesh: ‘Arrestoni Ramën!’”, deklaroi Lika.

Ai tha se protestuesit synojnë të ndjekin aktivitetet publike të kryeministrit dhe qeverisë edhe gjatë ditëve në vijim, duke paralajmëruar protesta në takime dhe dalje të ndryshme publike.

“Rama dhe qeveria duhet ta dinë se nuk do të kenë asnjë ditë të qetë në jetën e tyre politike. Do t’i ndjekim këmbë për këmbë kudo që të jenë, në fushata, takime, do t’ua nxijmë jetën siç na e kanë nxirë ne gjithë këto vite”, u shpreh ai.

Lika deklaroi gjithashtu se protestuesit do të vijojnë me forma simbolike proteste gjatë daljeve publike të kryeministrit.

“Çdo dalje e tij publike do të jetë makth, do ta ndjekim me vezë e domate kudo që të jetë”, tha Edison Lika.

Deklaratat e tij janë pjesë e paralajmërimeve të protestuesve për intensifikimin e aksioneve gjatë muajit tetor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb