Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, po zhvillon një vizitë pune në Uashington D.C., ku është pritur në Departamentin amerikan të Shtetit dhe ka zhvilluar një takim me drejtoren Amy Carnie të Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Metani ka ndarë detaje nga takimi, duke e cilësuar atë si të frytshëm.

“Shpreha mirënjohjen për vlerësimin e saj për punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në forcimin e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në sistemin gjyqësor të Shqipërisë”, shkruan Metani.

Sipas tij, gjatë takimit është rikonfirmuar rëndësia e vijimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes për avancimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Metani thekson se diskutimet u fokusuan gjithashtu në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e mëtejshëm të parimeve të llogaridhënies dhe integritetit institucional.

Vizita e Metanit në SHBA përfshin takime pune në institucione të ndryshme në Uashington D.C., në kuadër të bashkëpunimit për çështjet e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb