Confimprese Italia synon të forcojë rrjetin e saj ndërkombëtar dhe sheh veçanërisht Ballkanin Perëndimor si një zonë me potencial për zgjerimin e bizneseve italiane dhe krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit. Kjo qasje u evidentua gjatë aktiviteteve të zhvilluara në Fiuggi, nga 25 deri më 27 shtator, në kuadër të 30-vjetorit të krijimit të shoqatës, e cila përfaqëson më shumë se 80 mijë biznese mikro, të vogla dhe të mesme.

Në qendër të aktiviteteve ishte edhe Muharrem Salihu, president i Confimprese Venezia dhe përgjegjës për Ndërkombëtarizimin e Confimprese Italia, i cili mori pjesë në drejtimin dhe organizimin e aktiviteteve. Gjatë tri ditëve, në Teatrin Komunal të Fiuggit, ku në vitin 1996 u themelua shoqata, u zhvilluan takime me përfaqësues të institucioneve, botës së biznesit dhe diplomacisë, si dhe me delegacione të shumta ndërkombëtare.

Salihu vlerësoi se afërsia gjeografike dhe marrëdhëniet ekonomike që ekzistojnë tashmë mes vendeve e bëjnë Ballkanin Perëndimor një hapësirë me potencial për partneritete të reja, shkëmbime tregtare dhe projekte sipërmarrëse. Sipas tij, forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar mund të krijojë mundësi konkrete për bizneset italiane që synojnë zgjerimin në tregjet e huaja.

Salihu theksoi rëndësinë e ndërtimit të lidhjeve më të forta mes sipërmarrjeve dhe institucioneve.

“Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar do të thotë krijimi i mundësive të reja për bizneset”, deklaroi ai.

Në këtë kuadër, Confimprese Italia synon që marrëdhëniet institucionale dhe sipërmarrëse të shndërrohen në bashkëpunime konkrete dhe projekte të reja ekonomike. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe strukturës prodhuese të Venetos dhe zonës së Venecias, ndërsa Ballkani Perëndimor shihet si një hapësirë ku kompanitë mund të gjejnë partnerë të rinj dhe mundësi për zhvillimin e aktiviteteve të tyre në tregjet ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb