Një 18-vjeçar, emigrant që jetonte në Athinë po hetohet nga autoritetet greke, pasi dyshohet se ishte pjesë e grupit ndërkombëtar të hakerave “KillSec”, i lidhur me më shumë se 1 mijë sulme kibernetike ndaj kompanive dhe organizatave në vende të ndryshme.
Sipas hetimeve, i riu dyshohet se kishte rolin e programuesit dhe mund të ketë marrë pjesë në zhvillimin e mjeteve të përdorura për depërtimin në sistemet e sigurisë së kompanive.
Hetimi në Greqi është pjesë e një operacioni ndërkombëtar ku marrin pjesë autoritete nga Gjermania, Rumania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Pas informacionit të marrë nga autoritetet e huaja, policia greke identifikoi banesën e 18-vjeçarit në Athinë dhe kreu një kontroll me urdhër të prokurorit.
Gjatë operacionit u sekuestruan një laptop, katër telefona celularë, dy hard disqe, dy USB dhe një agjendë me shënime të shkruara me dorë. Një prej USB-ve përmbante kopje rezervë të bisedave të zhvilluara përmes një aplikacioni mesazhesh, të cilat konsiderohen të rëndësishme për zbardhjen e kontakteve dhe veprimtarisë së grupit.
Sipas hetuesve, “KillSec” dyshohet se depërtonte në sistemet e kompanive, vidhte të dhëna sensitive dhe më pas kërkonte pagesa në kriptomonedha, duke kërcënuar viktimat me publikimin e informacionit të vjedhur. Hetimet ndërkombëtare janë përqendruar edhe në aktivitetet e grupit në Dark Ueb, si dhe në serverët, llogaritë dhe infrastrukturën e përdorur për sulmet dhe komunikimet.
Në kuadër të të njëjtit operacion, autoritetet spanjolle arrestuan një 16-vjeçar që dyshohet se kishte një rol qendror në menaxhimin e rrjetit, ndërsa dy të dyshuar të tjerë u arrestuan në Spanjë dhe Rumani. Aktivitetet për të cilat dyshohet grupi janë zhvilluar gjatë periudhës 2024–2026, ndërsa autoritetet greke vijojnë analizimin e pajisjeve të sekuestruara për të përcaktuar nëse 18-vjeçari është i lidhur drejtpërdrejt me sulme të caktuara kibernetike.
