Shakira e ka përshkruar si një moment të veçantë dhe një “ëndërr të bërë realitet” paraqitjen surprizë të Dua Lipës në koncertin e saj në Madrid. Dy këngëtaret ndanë skenën të shtunën, më 3 tetor, ku performuan së bashku në një version akustik të këngës së njohur “Antología”. Gjatë koncertit, pjesë e turneut botëror “Las Mujeres Ya No Lloran”, Shakira surprizoi publikun duke ftuar Dua Lipën në skenë. Kjo ishte hera e parë që dy artistet interpretuan së bashku “Antología”, një prej këngëve më të njohura të Shakirës, të publikuar në albumin e vitit 1995, “Pies Descalzos”.

Pas performancës, Shakira publikoi në Instagram disa fotografi me Dua Lipën dhe e cilësoi bashkëpunimin si një moment të paharrueshëm. “Mbrëmë me Dua Lipën, një ëndërr e bërë realitet për shumë prej nesh”, shkroi këngëtarja kolumbiane. Edhe Dua Lipa ndau me ndjekësit një video nga performanca dhe falënderoi Shakirën për ftesën.

“Faleminderit që më ftuat të ngjitem në skenë me ju për të kënduar ‘Antología’. Ndjeva sikur ju, unë dhe publiku u bëmë një. Jam shumë mirënjohëse që marr me vete një kujtim kaq të bukur”, shkroi ajo. Shakira iu përgjigj artistes shqiptare me një tjetër mesazh plot përzemërsi: “Dua, faleminderit që erdhe deri këtu posaçërisht për të kënduar me mua dhe për të ndarë talentin dhe bukurinë tënde me të gjithë ne. Të duam, perëndeshë”.

Koncerti i 3 tetorit shënoi edhe një tjetër moment të rëndësishëm për Shakirën, pasi transmetimi i drejtpërdrejtë në Amazon Music u bë koncerti më i ndjekur live në platformë nga një artiste femër. Shakira po zhvillon aktualisht një seri prej 12 koncertesh në Madrid, si pjesë e turneut “Las Mujeres Ya No Lloran”, i cili vijon deri më 12 tetor. Turneu do të mbyllet me dy shfaqje të fundit, më 18 tetor në Kirgistan dhe më 28 nëntor në Egjipt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb