Pamje të reja nga kamerat e trupit të policisë kanë zbuluar momentet e para pas ngjarjes së rëndë në një shkollë fillore në Virxhinia të SHBA-së, ku një nxënës vetëm 6 vjeç qëlloi me armë mësuesen e tij.

Videoja, e mbajtur e mbyllur për më shumë se tre vjet, është bërë publike pas një vendimi gjykate dhe tregon kaosin brenda klasës menjëherë pas të shtënave të 6 janarit 2023, në shkollën fillore “Richneck” në Newport News.

Në pamjet gati treminutëshe, të regjistruara nga kamera e trupit e oficerit Brian Torrez, policët hyjnë në klasë dhe gjejnë 6-vjeçarin të mbajtur nga specialistja e leximit Amy Kovac. Mësuesja Abby Zwerner dhe nxënësit e tjerë ndërkohë kishin dalë nga klasa.

Kovac u tregon policëve se arma ndodhej ende në klasë, ndërsa një prej efektivëve e lokalizon pistoletën në dysheme, disa metra larg fëmijës. Hetimet zbuluan se bëhej fjalë për një pistoletë 9 mm, e cila kishte ende fishekë të tjerë brenda.

Pamjet regjistrojnë gjithashtu reagimin e pazakontë të 6-vjeçarit, i cili shan punonjësit e shkollës dhe policët. Në një moment, ai pranon se armën e kishte marrë nga e ëma dhe deklaron se nuk i interesonte nëse do të përfundonte në burg.

Ngjarja kishte ndodhur gjatë mësimit, kur fëmija nxori armën dhe qëlloi Abby Zwerner. Plumbi i kaloi mësueses përmes dorës dhe e goditi në kraharor, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pavarësisht gjendjes së saj, Zwerner arriti të nxirrte nxënësit nga klasa përpara se të merrte ndihmën mjekësore.

Rasti shkaktoi një debat të madh në SHBA, veçanërisht pasi doli se gjatë ditës punonjës të shkollës kishin ngritur shqetësime se fëmija mund të kishte një armë. Zwerner ngriti më pas një padi civile, duke pretenduar se paralajmërimet nuk ishin marrë seriozisht. Në nëntor të vitit 2025, një juri i akordoi asaj 10 milionë dollarë dëmshpërblim, pasi ish-zëvendësdrejtoresha e shkollës, Ebony Parker, u gjet përgjegjëse për neglizhencë të rëndë.

Pamjet e kamerës së trupit ishin përdorur më herët si provë në procedurat gjyqësore, ndërsa publikimi i tyre u lejua pasi “The Virginian-Pilot” dhe “Daily Press” kërkuan heqjen e urdhrit që i mbante të vulosura. Në versionin e bërë publik, fytyra e fëmijës është e mbuluar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb