Christa Pike, 50-vjeçarja e dënuar me vdekje në Tenesi, ka rifituar vetëdijen disa ditë pasi i mbijetoi një tentative të dështuar ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës. Avokati i saj, Randy Spivey, tha se ajo tani përballet me “konfuzion të rëndë dhe dëmtim kognitiv”, ndërsa gjendja e saj shëndetësore mbetet e rënduar.

Pike u shpall “e vdekur në tru” të hënën dhe mjekët planifikonin t’i hiqnin mbështetjen jetësore një ditë më vonë. Por të martën, ajo u zgjua dhe nisi të fliste. Sipas avokatit, fjalët e saj të para ishin: “Ku jam dhe kush je ti?”. Pike është e vetëdijshme se shteti u përpoq ta ekzekutonte, por nuk dihet ende se çfarë kujton nga momentet e ekzekutimit. Avokatët e saj thonë se ajo është e zemëruar dhe e hutuar për atë që ka ndodhur dhe se përpara saj qëndron një periudhë e gjatë rikuperimi.

Gjendja e saj fizike mbetet e rëndë. Ajo ka një mpiksje gjaku në njërin krah, pneumoni dhe ënjtje të madhe në duar dhe krahë. Aktualisht nuk është në gjendje t’i lëvizë krahët, ndërsa nuk mund të gëlltisë dhe nuk ka mundur të ushqehet. Avokatët thonë se ajo mezi arrin të flasë dhe ende nuk dihet se në çfarë mase do të rikthejë lëvizshmërinë.

Pike u ekzekutua më 30 shtator në Tenesi për vrasjen e vitit 1995 të 19-vjeçares Colleen Slemmer. Gjatë procedurës iu dhanë dy doza pentobarbital, por ajo nuk vdiq dhe u transportua në spital, ku qëndroi për disa ditë e intubuar dhe në ventilator.

Avokatët e saj dyshojnë se kateterët intravenozë mund të mos jenë vendosur siç duhet ose se venat mund të jenë çarë, duke bërë që një pjesë ose e gjithë substanca të kalonte në indet e dorës dhe jo në qarkullimin e gjakut. Deri tani, autoritetet e Tenesit nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për arsyen e dështimit të ekzekutimit.

Sipas Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje, Pike duket të jetë rasti i parë i njohur i një personi që i mbijeton një ekzekutimi pasi substancat vdekjeprurëse kishin nisur të administroheshin. Avokatët e saj po shqyrtojnë hapat e mëtejshëm ligjorë, por deri tani nuk kanë mundur të sigurojnë pëlqimin e saj për ngritjen e një padie të re, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: