Në fjalën e saj në Kuvend, Ina Zhupa është shprehur kundër reformës territuriale, ndërsa i ka bërë thirrje edhe deputetëve socialistë që të tërhiqen nga vendimi për ta votuar pro.

“A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora të mbash fjalën që i ke dhënë qytetarëve. Po injoroni 15 këshilla bashkiakë që kanë dalë kundër. Ju rrini këtu dhe keni marr urdhrin që të qëndroni si ushtar dhe të votoni vetëm atë që i shërben interesit të Edi Ramës. Ma shpjegoni pak metrin,  një deputet juaj i Vlorës guxoi dhe foli në një status në Facebook, por ju e detyruat bashkë me Edi Ramën ta fshinte statusin”, tha ajo.

Fjala e plotë:

Edi Rama nuk erdhi në interpelancën e thirrur nga kryetari i grupit, por erdhi që në mëngjes në këtë parlament që t’ju thoshte deputetëve të vet vetëm diçka: “Ose shkrini bashkitë, ose do t’ju shkrij juve ekonomikisht dhe politikisht.” Ky ishte kërcënimi për ata deputetë të cilët ishin shprehur kundër reformës territoriale. Dua sot, si deputete e qarkut të Vlorës, të pyes në mënyrë të drejtpërdrejtë: A ka vullnet Vullnet Sina t’i qëndrojë asaj që ka thënë në 3 gusht se Selenica nuk duhet të shkrihet si bashki? A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora dhe t’i qëndrosh fjalës që i ke dhënë deputetëve, që i ke dhënë qytetarëve? Të nderuar kolegë, sot po bëni një reformë që nuk po pyesni 225 mijë qytetarë shqiptarë, që po injoroni 15 këshilla bashkiakë që ju kanë votuar kundër, që po ju përplasen qytetarët jashtë kësaj salle për t’ju kërkuar që të dëgjoni siç e kërkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, dhe ju rrini këtu dhe keni marrë urdhrin që të qëndroni si ushtarë derisa të votoni Rama-formën territoriale. Atë që i shërben vetëm interesit politik të Edi Ramës. Ma shpjegojë… kush është metri, që ikën Divjaka dhe qëndron Roskoveci? Të ma shpjegojë! Për mua duhet të qëndrojnë të dyja e duhet të shtohen të tjera. Po ma shpjegoni pak metrin! Përveçse një deputet i juaj i Vlorës guxoi dhe e tha në një status në Facebook… tha ishte lobim dhe e detyruat ta fshinte statusin. Se tha ishte lobim, dhe unë nuk u tregova i zoti tha, që të loboja, që të mbaja bashkitë e mia. Dhe ju e detyruat bashkë me Edi Ramën ta fshinte statusin. Se tha fatkeqësisht një të vërtetë. U bë pazar, u bë lobim, u bë kush deputet ishte më i zoti për të shkuar dhe për të mbrojtur bashkinë e vet. Dhe ju 15 që përfaqësoni ato bashki që shkrihen, dilni kundër! Dilni kundër! Mbroni interesin e atyre qytetarëve që ju kanë votuar. Mbroni interesin e atyre që duhet të përfaqësoni, po që në fakt nuk i përfaqësoni, se nuk po përfaqësoni më askënd. Dhe vjen kryetari i grupit dhe thotë bëmë ne një komision, do bëjmë ne një komision të dytë, do bëjmë ne një komision të tretë, do bëjmë me seri… Çfarë telenovelësh kjo? Po pse kur merren parasysh të bëhet një reformë territoriale, ju duhet të merrni parasysh në tërësi si ndahen kompetencat, kush janë funksionet, si i shërben qytetarëve. Jo me seri sipas interesit politik dhe sipas urdhrit partiak.
Tërhiquni! Nuk e hoqët nga rendi i ditës, por keni mundësi që ta votoni kundër. Tërhiquni, përgjigjuni qytetarëve shqiptarë dhe ndryshe turpi do t’ju mbulojë gjithë kohën. Faleminderit!

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: