Deputetja Marjana Koçeku ka dalë kundër Reformës Territoriale, duke e cilësuar atë si një nismë të pakonsultuar me komunitetet dhe që, sipas saj, nuk respekton parimin e decentralizimit.

Në një apel drejtuar socialistëve, Koçeku deklaroi se reforma nuk është ligji që kanë kërkuar komunitetet dhe se nuk mjafton vetëm një ditë votimesh për ta legjitimuar atë.

“Reforma nuk është ligji që kanë kërkuar komunitetet, që nuk kanë nevojë për një ligj të pa konsultuar, që nuk respekton decentralizimin dhe nuk ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. Nuk mjafton një ditë votimesh për të legjitimuar ligjin”, u shpreh ajo.

Koçeku theksoi se çështja e ndarjes territoriale nuk duhet të shihet vetëm nga Tirana, por duke marrë parasysh nevojat dhe specifikat e çdo komuniteti në vend.

“Çështjet nuk duhen parë vetëm nga karrigia dhe Tirana, por nga këndvështrimi i çdo pjese të Shqipërisë”, tha deputetja.

Ajo u bëri thirrje socialistëve që të marrin në konsideratë vlerat dhe veçoritë e komuniteteve, duke argumentuar se ato nuk duhet të humbasin si pasojë e ndryshimeve territoriale.

“Jam kundër Territoriales sepse e njoh forcën e komuniteteve që kanë vlera që nuk duhet t’i shkrijmë, por t’i ndihmojmë e t’i forcojmë”, deklaroi Koçeku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb