Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi sot në Kuvend avancimin e reformës territoriale pa dëgjuar qytetarët e Tiranës dhe komunitetet që preken prej saj. Gjatë debatit për procedurën në nisje të seancës plenare, ajo u bëri thirrje deputetëve të shumicës të mos votojnë një reformë që, sipas saj, përqendron pushtetin politik, ekonomik dhe elektoral në duart e kryeministrit Edi Rama.
“Qytetarët e Tiranës, një e treta e vendit, nuk janë dëgjuar”, deklaroi Tabaku, duke ngritur shqetësimin se procesi po vijon pa dëgjuar asnjë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës.
Sipas deputetes demokrate, reforma parashikon shkrirjen e 50 bashkive “me një të rënë të lapsit”, pa marrë parasysh zërin e qytetarëve dhe qëndrimet e këshillave bashkiakë. Ajo tha se edhe këshilla me shumicë socialiste kanë votuar kundër reformës, por qëndrimet e tyre nuk janë dëgjuar.
“Kjo nuk është në fakt një reformë territoriale. Kjo është një reformë politike, kjo është një reformë elektorale, kjo është një reformë edhe ekonomike”, u shpreh Tabaku.
Ajo argumentoi se ndryshimet e propozuara nuk po orientohen drejt shërbimeve më të mira dhe afrimit të pushtetit vendor me qytetarët. Sipas saj, qëllimi është kontrolli mbi vendimmarrjen ekonomike, lejet e ndërtimit dhe zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në fjalën e saj, Tabaku iu referua edhe një deklarate që ia atribuoi Maznikut, sipas së cilës Bashkia e Tiranës drejtohet nga burgu. Ajo e cilësoi këtë një paradoks që dëshmon gjendjen e qeverisjes socialiste dhe e lidhi me pakënaqësinë e qytetarëve që protestojnë jashtë bashkisë.
Në përfundim, deputetja demokrate paralajmëroi se miratimi i reformës në këto kushte do të përbënte një tjetër vendim të rëndë për Kuvendin. Ajo e krahasoi përgjegjësinë e këtij votimi me atë për shembjen e Teatrit Kombëtar, ligjin e investimeve strategjike dhe ligjin për zonat e mbrojtura.
“Mos ia shtoni emrin tuaj atyre tri listave”, u bëri thirrje Tabaku deputetëve socialistë. “Votoni për ata që ju kanë sjellë në Parlament.”
Fjala e deputetes Tabaku
Të nderuar kryetarë, të nderuar kolegë,
Ka disa lista, në fakt, që nuk i bëjnë nder politikës. Lista e atyre që kanë miratuar shembjen e Teatrit Kombëtar është një listë turpi për politikën. Lista e atyre që kanë miratuar ligjin e investimeve strategjike është një listë turpi për politikën. Lista e atyre që kanë miratuar ligjin e zonave të mbrojtura është një listë turpi për politikën.
Këtyre do t’u shtohet njëkohësisht lista e atyre që do të shkrijnë sot, me një të rënë të lapsit, 50 bashki, pa dëgjuar zërin e qytetarëve, në kundërshtim me të gjitha vendimet e këshillave bashkiakë të të paktën tre muajve të fundit, pa dëgjuar asnjë përfaqësues të vetëm të Bashkisë së Tiranës.
Një e treta e vendit do të mbetet e padëgjuar në reformën e re territoriale që miratohet sot në Parlament.
Kjo nuk është në fakt një reformë territoriale. Kjo është një reformë politike, kjo është një reformë elektorale, kjo është një reformë edhe ekonomike, për të përqendruar në duart e Edi Ramës të gjithë pushtetin ekonomik në ato bashki, me të përzgjedhurit e vet.
Ndërkohë që flasim, nga 61 bashki, [numër i paqartë në transkript] prej tyre janë nën hetim, janë në SPAK. Dje, zoti Mazniku, që po dëgjon nga fundi i sallës, pranoi dhe tha se Bashkia e Tiranës drejtohet nga burgu.
A ka sot paradoks më të madh sesa të thuash se Bashkia e Tiranës drejtohet nga burgu? A e kuptoni se ku ka përfunduar qeverisja socialiste? A e kuptoni se për çfarë protestojnë njerëzit sot, prej 130 ditësh, edhe në këto momente jashtë derës?
Pikërisht për këtë arrogancë pushteti, që ka përmbledhur të gjithë pushtetin ekonomik, politik e mediatik; për këtë sistem të kalbur që, në fakt, e ka shkatërruar Shqipërinë.
Qytetarët e Tiranës, një e treta e vendit, nuk janë dëgjuar. Këshillat bashkiakë, edhe ata me shumicë socialiste, nuk janë dëgjuar. Kanë votuar kundër kësaj reforme.
U bëj thirrje të gjithë kolegëve socialistë të mos ia shtojnë emrin e tyre atyre tri listave: listës së shembjes së Teatrit Kombëtar, listës së ligjit të investimeve strategjike dhe listës së zonave të mbrojtura.
Sepse kjo do të jetë një njollë tjetër turpi për këtë Parlament, që sot nuk punon për qytetarët, që sot nuk prodhon politika për qytetarët, por, në çdo vendim që merr, vetëm përqendron pushtetin ekonomik dhe pushtetin elektoral.
Kjo nuk është një reformë për qytetarët. Kështu që sot unë besoj se kushdo e ka të qartë, edhe ata nga kolegët socialistë që e ndiejnë veten karton, se nuk po votojnë për qytetarët. Nuk po votojnë për shërbime më të mira. Nuk po votojnë as për rrugë, as për një shërbim që u shkon atyre më afër.
Votojnë vetëm për dhënien e lejeve të ndërtimit. Votojnë për pushtetin ekonomik të Edi Ramës. Votojnë për pushtetin elektoral, për zgjedhjet lokale të vitit tjetër. Asnjë shërbim. Asnjë politikë për sa u përket komuniteteve.
Kështu që, kolegë, ju lutem, mos iu shtoni listës së shembjes së Teatrit Kombëtar dhe të dy ligjeve të tjera.
Votoni për ata që ju kanë sjellë në Parlament.
Faleminderit.
