Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon në Fier “Foltoren e Ripërtëritjes”, ku ka bërë thirrje për modernizimin e partisë dhe rigjallërimin e strukturave të saj, me synimin për t’u afruar më shumë me qytetarët.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi procesin e ripërtëritjes si një hap me rëndësi jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për vendin, duke theksuar se qëllimi madhor është ripërtëritja e Shqipërisë.

Ai u ndal edhe te periudha e vështirë që, sipas tij, ka kaluar PD-ja, duke deklaruar se partia i ka rezistuar përpjekjeve për ta kontrolluar dhe për ta nënshtruar. Berisha e lidhi gjithashtu rëndësinë e opozitës me funksionimin demokratik të vendit, duke argumentuar se një Shqipëri pa opozitë të fortë nuk mund të ketë perspektivë për të ardhmen.

Në përfundim, ai vlerësoi demokratët që, sipas tij, i kanë qëndruar besnikë partisë dhe janë përballur me procese që ai i cilësoi të padrejta, duke i konsideruar ata si njerëz që meritojnë respekt për qëndresën e tyre.

Pjesë nga fjala e Berishws:
Vij sot tek ju në këtë foltore të rithemelimit, e cila në vlerësimin tim ka një rëndësi të jashtëzakonshme para së gjithash për Shqipërinë, për shqiptarët, për të rinjtë, të rejat, burrat, gratë, të moshuarit e këtij vendi.
Sepse kjo ripërtëritje ka si qëllim madhor ripërtëritjen e Shqipërisë.
Partia Demokratike kaloi një periudhë të vështirë, kaloi një një kalvar të vërtetë. Por qëndroi, qëndroi me një vendosmëri epike në mënyrë që Fieri, në mënyrë që Shqipëria të ketë një opozitë të vërtetë, sovrane, të ketë një opozitë që qëndron ballë për ballë me një qeveri kur ajo është legjitime, po ballë për ballë me një qeveri kur ajo nuk është legjitime.
E gjithë beteja jonë mund të përmblidhet në dy fjalë, në dy fjali: Ne bëmë çdo gjë që këtë parti mos e kontrollojë kush tjetër përveç jush, anëtarët, anëtaret e kësaj partie.
Nuk mund të ishte kurrë në misionin e saj ndryshe, veçse si një forcë sovrane. Miqtë e mi, sovraniteti i një kombi është sovraniteti i jashtëm që përcaktohet nga tërësia dhe mosprekja e kufijve të tij, tërësia territoriale, por është sovraniteti i brendshëm i cili përfaqësohet para së gjithash nga pushteti që sovrani i jep opozitës.
Është ajo, është ajo që bën një vend sovran. Është ajo që bën një vend në kuptimin e mirëfilltë të fjalës të luftojë për të ardhmen e tij.
Vende pa opozitë të ardhme nuk kanë, edhe këtë e ka faturuar më shumë se kushdo tjetër Shqipëria në 46 vite.
Kështu që të gjithë ata që qëndruan, të gjithë ata të cilët u përballën në procese të padrejta, në përpjekje për t’i gjunjëzuar, për t’i kontrolluar, ata janë heronjtë e mi. Ata kanë dhe do kenë nderimin më të madh gjithmonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb