Danimarka ka nisur testimin e robotëve me inteligjencë artificiale në rrjetin e tij të supermarketeve, me qëllim automatizimin e rimbushjes së rafteve dhe lehtësimin e punës fizike të stafit njerëzor.
Në njërin prej supermarketeve pranë Kopenhagenit, makineritë e avancuara të zhvilluara nga kompania daneze Hive Robots dhe të prodhuara nga gjiganti kinez Unitree, po trajnohen që prej muajit qershor për të përballuar procesin që kërkon më shumë kohë në industrinë e shitjes me pakicë.
Për momentin, operatorët njerëzorë drejtojnë çdo lëvizje të robotëve për t’i ndihmuar ata të mësojnë trajtimin e produkteve të ndryshme. Ambicia e kompanisë është që brenda fillimit të vitit 2027, robotët të kryejnë me plot autonomi mbushjen e rafteve, duke punuar kryesisht gjatë orëve të natës kur dyqanet janë të mbyllura për klientët.
Sipas të dhënave punonjësit shpenzojnë aktualisht midis 40 dhe 50 përqind të kohës së tyre ditore me procesin e rimbushjes së rafteve. Me marrjen e kësaj detyre nga robotët, kompania synon t’i orientojë punonjësit më shumë drejt shërbimit të drejtpërdrejtë ndaj klientëve.
Në hapat e ardhshëm, robotët parashikohet të kryejnë edhe detyra të tjera si kontrolli i datave të skadencës, identifikimi i rafteve bosh dhe pikësimi i mallrave të humbura ose të vendosura gabim.
Pavarësisht kësaj teknologjie inovative, robotët punojnë ende më ngadalë se njerëzit dhe kërkojnë mbikëqyrje të vazhdueshme. Po ashtu, përpara se këto makineri të punojnë lirshëm mes blerësve gjatë ditës, kërkohen edhe ndryshime në kuadrin ligjor danez. Për këtë arsye, fokusi kryesor i projektit eksperimental mbetet puna e natës dhe detyrat larg ndërveprimit të drejtpërdrejtë me konsumatorët.
