Të paktën 139 emigrantë, mes tyre 15 fëmijë, kanë humbur jetën dhe 84 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë e mbingarkuar u mbyt në brigjet e Xhibutit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të OKB-së, shumica e personave në bord ishin shtetas etiopianë që po udhëtonin drejt Jemenit.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, varka transportonte 305 persona. Ajo u fundos natën mes 8 dhe 9 tetorit, në veri të qytetit të Obock, në një distancë prej vetëm disa dhjetëra metrash nga bregu, bëri të ditur një zëdhënës i IOM-it.

Më shumë se 80 persona arritën t’i mbijetonin tragjedisë, të gjithë shtetas etiopianë. Organizata e ka cilësuar ngjarjen si një nga mbytjet më vdekjeprurëse të anijeve të emigrantëve në vitet e fundit.

Çdo vit, dhjetëra mijëra emigrantë përshkojnë të ashtuquajturën “Rruga Lindore”, një itinerar detar që lidh Bririn e Afrikës me Jemenin përmes Xhibutit dhe Ngushticës Bab el-Mandeb, një nga rrugët detare më të rrezikshme në botë.

Pavarësisht rifillimit të luftimeve në Jemen që nga fillimi i shtatorit, mes rebelëve Huthi dhe forcave proqeveritare, IOM ka regjistruar më shumë se 20 mijë emigrantë nga Etiopia drejt Xhibutit që nga 10 shtatori.

“Qëllimi është gjithmonë të arrijmë në vendet e Gjirit”, deklaroi një zëdhënës i IOM-it.

Sipas organizatës, në varkën e mbytur ndodheshin edhe 105 persona që ishin dëbuar më parë nga Jemeni dhe po përpiqeshin të kalonin sërish detin për të arritur destinacionin e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb