Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po vijon sulmet, pavarësisht njoftimit për një armëpushim energjetik të njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas Zelenskyt, ushtria ukrainase ka marrë të gjitha urdhrat përkatës në lidhje me armëpushimin, ndërsa Kievi po pret sqarime për marrëveshjen e pretenduar mes Uashingtonit dhe Moskës.

“Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë marrë të gjitha urdhrat përkatës. Ne po presim detaje të qarta të bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe presim që Putini të respektojë atë që tha presidenti Trump”, deklaroi Zelensky.

Ndërkohë, presidenti ukrainas bëri të ditur se forcat ruse kishin goditur termocentralin CHP-5 në Kharkiv, një objekt që furnizon qytetin me ngrohje dhe energji elektrike.

Zhvillimi vjen pas njoftimit të Trumpit se Rusia dhe Ukraina kishin pranuar një armëpushim për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Megjithatë, Zelensky ka deklaruar se po pret detaje të qarta nga pala amerikane, ndërsa mbetet për t’u parë nëse marrëveshja do të respektohet nga të dyja palët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb