Një fenomen i pazakontë atmosferik është shfaqur në ishujt Ciklade të Greqisë, ku një rrëke uji u formua në detin mes Mykonos dhe Naxos, ndërsa re të dendura dhe të errëta mbuluan qiellin.
Fenomeni u filmua nga kamerat e Mykonos Live TV, të cilat kapën momentin kur kolona e ujit ngrihej mbi sipërfaqen e detit, duke krijuar një pamje mbresëlënëse.
Shfaqja e këtij fenomeni vjen në një kohë kur moti i keq po afrohet në rajon, me vranësira të dendura dhe ndryshime të kushteve atmosferike në ishujt e Egjeut.
Sipas buletinit të përditësuar të Shërbimit Meteorologjik Helenik, moti i keq do të prekë edhe ishujt Ciklade, ku për të martën, më 13 tetor, dhe të mërkurën, më 14 tetor, parashikohen reshje shiu dhe stuhi lokale. Të mërkurën, fenomenet atmosferike mund të jenë lokalisht të forta. Ndërkohë, erërat verilindore pritet të forcohen ndjeshëm, duke arritur intensitetin 8 ballë në shkallën Beaufort në detin Egje, ndërsa në disa zona mund të shkojnë deri në 9 ballë.
Edhe të enjten, më 15 tetor, vranësirat dhe reshjet lokale do të vijojnë në pjesët lindore dhe jugore të Greqisë. Erërat në Egje pritet të fryjnë me intensitet 6 deri në 7 ballë, ndërsa lokalisht mund të arrijnë deri në 8 ballë.
