Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Prime” në News24, ka bërë një analizë të situatës politike në vend dhe protestave të fundit. Salianji theksoi se shumë njerëz nuk e besonin më fuqinë e popullit për t’u ngritur.

“Ndryshimi tek unë ka qenë ky, kam lënë gjithë vëmendjen time për protestën duke e parë si një shpresë për të sjellë ndryshim. E kam thënë edhe më parë, që mund të jem unë, mund të jetë dikush tjetër, por Shqipëria nuk ecën dot më me Ramën dhe Berishën. Berisha është i papranueshëm për PD dhe shoqërinë shqiptare,” deklaroi ai.

I pyetur për rolin e tij dhe të mbështetësve të tij në shesh, Salianji sqaroi se ekipi i tij organizativ ka qenë i pranishëm që në ditët e para dhe vazhdon të jetë atje, ndërsa vetë ka vijuar takimet pa kërkuar të marrë vëmendjen mediatike.

“Nuk kam dashur të marr asnjë vëmendje nga protesta duke çuar gjithë energjinë dhe fokusin te protesta,” u shpreh ish-deputeti.

Më tej, Salianji hodhi akuza direkte ndaj Sali Berishës dhe Edi Ramës për qasjen e tyre ndaj reagimit qytetar. Sipas tij, Berisha fillimisht e sulmoi protestën duke angazhuar njerëzit e tij për të hedhur balte mbi të, për të bërë më pas të kundërtën. Ai përmbylli duke nëvizuar se të dyja palët po punojnë paralelisht për të shuar revoltën: “Përpjekja e Ramës dhe Berishës ka qenë për të çmontuar protestën.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb