Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit, të dyshuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Efektivët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari. Nga veprimet hetimore dyshohet se dy punonjësit e policisë i kanë kërkuar dhe marrë qytetarit një shumë prej 20 mijë lekësh, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore.

Të arrestuarit janë identifikuar Aurel Sallakun, 20 vjeç, me gradën inspektor dhe Xhorxh Frrokaj, 23 vjeç, gjithashtu me gradën inspektor. Të dy ishin pjesë e shërbimeve të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet.

Arrestimi është kryer në vijim të veprimeve hetimore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Dy punonjësit dyshohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

AMP bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Agjencia thekson se mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit nga punonjësit e strukturave policore, duke deklaruar se do të reagojë ndaj çdo rasti që cenon integritetin e uniformës dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb