Opozita ka braktisur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku kritikoi mazhorancën, duke e akuzuar se po rikthen për diskutim kërkesa të cilat, sipas saj, i kishte refuzuar tre muaj më parë. Tabaku, kundërshtoi vendimin e Komisionit të Etikës për përjashtimin e Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut, duke e cilësuar atë të papranueshëm dhe në shkelje të Rregullores së Kuvendit.
“E keni kthyer Kuvendin në tallje. Kërkesat që keni refuzuar tre muaj më parë i sillni këtu copy-paste dhe kërkoni t’i votoni”, u shpreh Tabaku.
Jorida Tabaku: Dua t’ju kujtoj, zoti kryetar, se vendimi i Komisionit të Etikës, i marrë ditën e djeshme, është në shkelje të plotë të Rregullores. Madje, ai tregon se nuk ka asnjë vlerësim dhe asnjë ndjeshmëri për zbatimin e saj.
Përjashtimi për 60 ditë është i përcaktuar qartë në Rregullore dhe zbatohet vetëm në raste të caktuara. Vendimi për përjashtimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është i papranueshëm.
Besoj se ky vendim është në të njëjtën frymë me propozimin që paraqitet sot për të shkelur sërish Rregulloren.
Sa i përket programit të punës, kalendari dhe projektprogrami janë mjaft të ngarkuar. Nuk është se kemi pak projektligje. Interpelancat janë parashikuar, ndërsa buxheti do të vijë për shqyrtim. Për këtë arsye, ne jemi kundër propozimit për ndryshimin e tyre.
Do të ishte e nevojshme që të mos kishim asnjë javë të gjelbër, në vend që të punojmë një javë dhe të mos punojmë javën tjetër.
Prandaj, besoj se duhet të fokusohemi te interpelancat që u shtynë herën e kaluar, te projektligjet që u shtynë po ashtu dhe te kalendari që kemi përpara.
