Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si qeveria menaxhon pronat publike dhe për marrëveshjet që lidhen me zhvillimin e tyre, duke kërkuar transparencë të plotë mbi vlerën e pasurive, kushtet e kontratave dhe përfitimet që siguron shteti nga këto projekte.

Tabaku u ndal veçanërisht te roli i Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila mund të marrë në administrim prona nga institucionet qendrore dhe vendore për realizimin e projekteve të investimit. Sipas saj, është e nevojshme që çdo hap i këtij procesi të jetë i qartë për publikun, nga vlerësimi i pronës deri te përzgjedhja e partnerëve dhe përcaktimi i detyrimeve të palëve.

Deputetja e opozitës argumentoi se vendimet për pronat publike ndikojnë drejtpërdrejt në pasurinë e qytetarëve dhe se qeveria duhet të shpjegojë konkretisht se çfarë përfiton publiku nga marrëveshjet e lidhura. Ajo iu referua gjithashtu gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit pas auditimit të Korporatës së Investimeve Shqiptare, ku, sipas saj, janë evidentuar mangësi në planifikim, mungesë metodologjish të standardizuara për projektet dhe analiza të pamjaftueshme të rreziqeve dhe përfitimeve.

REAGIMI I TABAKUT
Komunikimi i plote:

Sot dua t’ju flas për pronën tuaj. Për tokën publike. Për hapësirën mes pallateve. Për pasuritë që kanë një vlerë të madhe pikërisht sepse u përkasin të gjithë shqiptarëve.

Kush vendos për to? Kush ua cakton çmimin? Kush zgjedh përfituesin? Dhe kush ju jep llogari juve? Mbajini mend këto pyetje sa herë qeveria ju prezanton një projekt të ri.

Sepse projekti mund të duket i bukur në ekran. Por marrëveshja që qëndron pas tij mund të përcaktojë fatin e një prone publike për dekada. Dhe aty duhet ta përqendrojmë vëmendjen.

Te marrëveshja. Te prona. Te përfituesi. Korporata e Investimeve Shqiptare është në qendër të këtij shqetësimi.

Një shoqëri shtetërore, e krijuar me ligj, që mund të marrë prona nga institucionet qendrore dhe vendore për projekte investimi. Mendoni për një çast fuqinë që i jep kjo.

Prona që deri dje administrohej nga një institucion publik, mund të kalojë te Korporata. Më pas përfshihet në një projekt zhvillimi. Zgjidhet një partner. Negociohen kushtet. Përcaktohet çfarë merr secila palë.

Në secilin prej këtyre hapave vendoset mbi pasurinë tuaj.

Prandaj unë kam një kërkesë të drejtpërdrejtë për kryeministrin: hapini këto marrëveshje përpara shqiptarëve.

Publikoni vlerësimin e pronës. Publikoni alternativat që janë shqyrtuar. Publikoni kushtet dhe detyrimet. Tregoni përfituesit përfundimtarë.

Dhe shpjegoni, me shifra, çfarë fiton publiku.

Kush është kaq i bindur se po bën marrëveshjen më të mirë për Shqipërinë, duhet të jetë i gatshëm ta provojë.

Sepse këtu kemi arsye konkrete për të kërkuar llogari.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka audituar Korporatën. Ka konstatuar mangësi në planifikim, mungesë metodologjish të standardizuara për projektet dhe mungesë analizash të detajuara për rreziqet e përfitimet.

Raporti ka dhënë 27 rekomandime.

Këto janë gjetje të institucionit shtetëror të auditimit.

Dhe pyetja për qeverinë është e qartë: cilat i keni zbatuar?

Për secilin rekomandim, tregoni masën, afatin dhe përgjegjësin.

Sepse përpara se të angazhoni një pronë tjetër publike, duhet të provoni se keni korrigjuar mangësitë e konstatuara.

Shqiptarëve nuk mund t’u kërkohet besim pa kushte. Besimi fitohet duke dhënë llogari.

Le të marrim shembullin e Shtëpisë së Fëmijës Zyber Halluli

Kjo është një pronë me vlerë të madhe në Tiranë. Ka rëndësi për sportin, për qytetin dhe për komunitetin.

Prandaj marrëveshja duhet të kalojë një provë shumë të thjeshtë: a është përdorimi më i mirë i kësaj pasurie për qytetarët?

Sa është vlerësuar toka? Çfarë merr partneri privat? Çfarë merr shteti? Çfarë hapësirash sportive garantohen? Kush përballon kostot e infrastrukturës përreth?

Përgjigjet duhet të jenë të shkruara në dokumente dhe të garantuara në kontratë.

Qytetarët kanë të drejtë ta dinë çfarë do t’u mbetet pasi të mbarojë prezantimi, pasi të largohen kamerat dhe pasi të fillojë ndërtimi.

Sepse një pronë publike ka edhe një vlerë që nuk matet vetëm me çmimin e shitjes apo me sipërfaqen e ndërtimit.

Ajo mund të jetë mundësia e fundit e një lagjeje për një shkollë. Mund të jetë hapësira ku fëmijët bëjnë sport. Mund të jetë vendi për një shërbim që qytetit do t’i duhet nesër.

Kur vendosni mbi atë pronë, vendosni edhe mbi këto mundësi.

Dhe përgjegjësia është e juaja, zoti kryeministër.

Por shqetësimi shkon përtej Korporatës.

Shikoni instrumentet që janë krijuar ndër vite për pronën dhe territorin: investimet strategjike, Paketa e Maleve, procedurat e posaçme të zhvillimit.

Secili ka rregullat e veta. Secili paraqitet me një premtim për ekonominë.

Por për secilin duhet bërë e njëjta llogari: çfarë jep shteti dhe çfarë merr shoqëria?

Ligji për investimet strategjike parashikon procedura të posaçme dhe mbështetje për projektet që marrin këtë status.

Atëherë publikoni rezultatet.

Për çdo projekt, tregoni detyrimet e marra dhe detyrimet e realizuara. Tregoni çfarë mbështetjeje është dhënë. Tregoni çfarë masash janë marrë kur premtimet kanë mbetur në letër.

Lehtësia që jep shteti ka një kosto dhe një përgjegjësi.

Askush nuk duhet të marrë përfitimet e statusit dhe të shmangë detyrimet që vijnë me të.

Pastaj kemi Paketën e Maleve.

Një procedurë që, kur plotësohen kushtet ligjore, mund të çojë te blerja e pronës me një euro, pas miratimit të lejes së zhvillimit.

Një euro.

Pikërisht sepse çmimi është simbolik, kontrolli mbi të drejtën për të përfituar duhet të jetë shumë i fortë.

Kush e verifikon posedimin? Si trajtohen pretendimet e pronarëve? Si mbrohet familja që ndodhet në emigracion dhe mund të mos marrë vesh në kohë për një procedurë që prek pronën e saj?

Këtu shteti duhet të garantojë të drejtat e njerëzve deri në fund.

Një procedurë e shpejtë, pa mbrojtje efektive të pronës, mund të prodhojë një padrejtësi që zgjat me breza.

Ky është rreziku që unë shoh: krijimin e rrugëve të privilegjuara për ata që kanë para, ndikim dhe afërsi me vendimmarrjen.

Këtu duhet kërkuar përgjigjja edhe për ligjet me porosi.

Për mua, një ligj bëhet me porosi kur rregullat përshtaten rreth interesit të një përfituesi dhe interesi publik përdoret si justifikim.

Ky është testi politik që duhet t’i bëjmë çdo nisme: kujt i hap rrugë dhe kë lë pa mbrojtje?

Edhe reforma territoriale duhet parë përmes këtij testi.

Ndryshimi i kufijve prek institucionet që administrojnë territorin, përfaqësojnë banorët dhe marrin vendime për zhvillimin.

Prandaj kërkojmë të dimë çfarë fuqie do të kenë komunitetet mbi vendimet që prekin tokën e tyre.

Sa më larg të shkojë vendimmarrja nga banori, aq më e fortë duhet të jetë garancia që zëri i tij do të dëgjohet.

Një fshat i vogël ka të drejta. Një lagje ka të drejta. Një pronar ka të drejta.

Këto të drejta duhen mbrojtur edhe përballë projektit më të madh dhe investitorit më të fuqishëm.

Prandaj kërkesa ime është konkrete: transparencë për pronat, konkurrencë për projektet dhe përgjegjësi për marrëveshjet.

Për çdo pasuri publike, tregoni vlerën.

Për çdo lehtësi ligjore, tregoni arsyen.

Për çdo përfitues, tregoni detyrimet.

Dhe për çdo premtim të pambajtur, tregoni kush mban përgjegjësi.

Pasuritë e Shqipërisë janë më të mëdha se mandati i çdo qeverie. Vendimet që merrni sot do t’i paguajnë ose do t’i gëzojnë edhe fëmijët tanë.

Prandaj kjo llogari do të kërkohet deri në fund.

Prona është e shqiptarëve. Përgjigjen ua keni borxh shqiptarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: