Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten, më 15 tetor, në orën 10:00, në seancë plenare publike, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca me ministra të kabinetit qeveritar, shqyrtimi i projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Sipas rendit të ditës të miratuar me urdhrin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 8 tetorit dhe njoftimet përkatëse.

Një nga pikat kryesore të seancës do të jetë interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, janë parashikuar dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Në vijim, deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, mes të cilave ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.

Në rendin e ditës përfshihet edhe projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit, si dhe projektligji për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.

Një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë votimi i projektvendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.

Seanca do të përmbyllet me diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës, ku deputetët do të kenë në dispozicion deri në 5 minuta për ndërhyrjet individuale dhe deri në 8 minuta kur flasin në emër të grupeve parlamentare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb