Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë në Shkozë të Tiranës, ku Astrit Idrizi dyshohet se i vuri zjarrin banesës në pronësi të prindërve të bashkëjetueses së tij, duke shkaktuar vdekjen e dy bashkëshortëve, 65 dhe 68 vjeç.

Sipas burimeve, Idrizi ka edhe një fëmijë me bashkëjetuesen e tij dhe prej kohësh dyshohet se kishte shprehur dyshime se ajo e tradhtonte. Këto dyshime, sipas të njëjtave burime, dyshohet se kishin shkaktuar debate të vazhdueshme mes çiftit dhe ishin shoqëruar me largimin e tyre nga njëri-tjetri.

Kjo pistë dyshohet se lidhet me motivin e ngjarjes së rëndë. Në momentin kur banesa u përfshi nga flakët, brenda saj ndodheshin prindërit e bashkëjetueses, të cilët humbën jetën si pasojë e zjarrit. Në banesë ndodheshin gjithashtu bashkëjetuesja e Idrizit dhe fëmija i tyre. Ata u nxorën nga banesa nga zjarrfikësit dhe efektivët e Policisë, të cilët ndërhynë për të shpëtuar personat që ndodheshin brenda.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, nëna dhe fëmija ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Astrit Idrizi është arrestuar nga Policia pas ngjarjes së ndodhur rreth mesnatës së 14 tetorit, në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”, në Shkozë.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Dyshimet për tradhti dhe konfliktet mes çiftit mbeten pjesë e informacionit paraprak të raportuar nga burimet, ndërsa motivi përfundimtar duhet të përcaktohet nga hetimet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb