Protesta në Tiranë është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa protestuesit kanë hapur derën e godinës së Kryesisë së Kuvendit dhe në hyrje të saj është ndezur zjarr.

Ndërkohë, policia ka hedhur masivisht gaz lotsjellës dhe bombola shpërthyese në përpjekje për të shpërndarë turmën. Gjithashtu i është vënë zjarri një biznesi pranë “Kullave Binjake”.

Tensionet në kryeqytet kanë vijuar për orë të tëra, me protestuesit që janë shpërndarë në disa pika, nga Kryeministria te zona e Piramidës dhe Kryesia e Kuvendit.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, demonstruesit vijojnë të qëndrojnë në rrugë, ndërsa thirrjet për dorëheqje dëgjohen nga qytetarët.

Gjatë protestës, një pjesë e të rinjve u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa raportohen edhe incidente në ambiente institucionesh, ku janë nxjerrë tavolina dhe karrige jashtë godinave dhe më pas u është vënë flaka.

Situata ka marrë përmasa të tensionuara, teksa përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë shoqëruar zhvillimet e fundit të tubimit.

Në qendër të protestës janë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Revolta e të rinjve vjen në një klimë të ngarkuar politike, ku në vëmendje janë edhe skandale të njëpasnjëshme, përfshirë çështjen e AKSHI-t dhe zhvillimet që lidhen me Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH).

Reavolta e tyre vjen edhe për shkak të arsimit degraduar, mungesën e kushteve në konvikte, çmimet e larta, mungesa e mbështjes nga qeveria

Ndërkohë, protestuesit vijojnë të bëjnë thirrje për largimin e qeverisë, ndërsa situata në bulevardin kryesor të Tiranës dhe pranë institucioneve shtetërore mbetet e tensionuar.

Për 135 ditë me radhë qytetarët zhvilluan protesta në Tiranë, ku gjithashtu iu bashkuan edhe shqiptarë të Diasporës, me thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij të cilët i akuzonin për korrupsion.

Ndërkohë studentët vijojnë prej dy ditësh tashmë revoltën e tyre. Protesta e studentëve nisi siç edhe ishte paralajmëruar më 13 tetor 2026, në orën 14: 00 para Ministrisë së Arsimit, e cila u shoqërua me përshkallëzim.

Dhe gjithashtu vijoi edhe sot. Por ditën e sotme protesta nisi  që në orën 09:00 me marshimin e studentëve të rinjve të cilët bojkotuan mësimin dhe që prej mëngjesit protestuan fillimisht te Ministria e Arsimit.

Një protestë që vijon dhe është përshkallëzuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: