Pas sulmit të ndodhur pak ditë më parë në aeroportin e Riadit, organizatorët kanë zyrtarizuar vendimin për shtyrjen e turneut, i cili fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej nga 21 deri më 24 tetor. Datat e reja janë 27–30 dhjetor. Shtyrja me më shumë se dy muaj mund të rihapë, ndoshta, mundësinë e pjesëmarrjes së Janik Sinerit. Tashmë është zyrtare: “Six Kings Slam” nuk do të zhvillohet në datat e parashikuara fillimisht.

Ekspozita luksoze e tenisit, e organizuar në Riad, ka njoftuar ndryshimin e datave për shkak të situatës së krijuar në Arabinë Saudite. Vetëm pak ditë më parë, një sulm i atribuar rebelëve Houthi shkaktoi, sipas raportimeve, 12 viktima dhe 300 të plagosur, duke goditur edhe aeroportin ndërkombëtar. “Six Kings Slam” duhej të zhvillohej nga 21 deri më 24 tetor, por, pas zhvillimeve të fundit, organizatorët njoftuan zyrtarisht shtyrjen e aktivitetit.

Pas zyrtarizmit të shtyrjes, mediat kanë hapur mundësinë për rikthimin e Sinerit në fushë në datat e reja? Turneu është zhvendosur kështu në fund të dhjetorit, konkretisht nga 27 deri më 30 dhjetor. Formati do të ruajë strukturën e tij tradicionale treditore, me 28 dhjetorin si ditë pushimi. Kjo skemë u mundëson tenistëve të shmangin gjobat e parashikuara nga ATP-ja, pasi rregullat nuk lejojnë zhvillimin e ndeshjeve të ekspozitave për më shumë se dy ditë radhazi.

Ndryshimi i kalendarit mund të krijojë gjithashtu një mundësi për pjesëmarrjen e Janik Sinerit. Tenisti italian, ish-numri një i botës, kishte paralajmëruar organizatorët disa javë më parë për problemet me gjurin, të cilat më pas e detyruan t’i jepte fund sezonit. Megjithatë, me turneun tashmë të planifikuar për në fund të dhjetorit, “Six Kings Slam” mund të shndërrohet në një mundësi për rikthimin e Sinerit në fushë.

Edhe pse bëhet fjalë për një aktivitet ekspozues, përballja me kundërshtarë të nivelit më të lartë do t’i jepte italianit mundësinë të testonte gjendjen e tij fizike përpara nisjes drejt Australisë. Gjithçka, natyrisht, varet nga aftësia e Sinerit për t’u rikuperuar plotësisht gjatë javëve të ardhshme nga inflamacioni i tendinave të gjurit, një problem që e ka shqetësuar që prej verës.

Mbetet për t’u parë nëse italiani do të jetë në gjendje të rikthehet në kohë për aktivitetin saudit. Po ashtu, rëndësi të veçantë do të ketë edhe situata e sigurisë në rajon, e cila duhet të jetë mjaftueshëm e qëndrueshme për t’u mundësuar organizatorëve zhvillimin e turneut në kushte të sigurta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb