Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dalë sot me një mesazh zyrtar drejtuar qytetarëve, duke reaguar mbi protestat dhe përshkallëzimin e tensioneve e akteve të dhunës gjatë ditëve të fundit në kryeqytet dhe rrethe.
Kreu i Shtetit tha se zëri i të rinjve përfaqëson shpresën dhe të ardhmen e vendit dhe meriton të dëgjohet pa u diskutuar nga askush, por thekson se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhja pasi dëmton shoqërinë dhe cenon sigurinë.
Begaj u ka bërë thirrje palëve për maturi, vetëpërmbajtje dhe shmangie të tensioneve që prekin rendin kushtetues, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e tij kushtetuese për të ofruar hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi mes aktorëve të përfshirë.
Mesazh i Presidentit të Republikës Bajram Begaj:
Tiranë, më 15 tetor 2026
Të dashur qytetarë,
Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.
Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.
Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.
Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.
Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.
U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.
Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.
