Për të tretën ditë me radhë Tirana dhe e gjithë Shqipëria janë përfshirë nga revolta studentore. Të rinjtë kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së drejtuar prej tij. Studentët janë të vendosur të vijojnë rezistencën, ndërsa mazhoranca e ia faturon protestën opozitës, siç kryeministri Edi Rama u shpreh mëngjesin e sotëm.
Ndërsa deputeti socialist, Erion Malaj në një reagim në rrjetet sociale shprehet se zëri i të rinjve meriton të dëgjohet e të respektohet, jo të instrumentalizohet.
Postimi
Një apel nga zemra, si një i ri në politikë, por edhe si dikush që për më shumë se 10 vite ka qenë pjesë e jetës universitare, në auditorë, pranë studentëve, duke njohur nga afër shqetësimet, ëndrrat dhe ambiciet e tyre. Mos i përdorni të rinjtë për beteja të dhunshme! Mos i përfshini në akte dhune dhe mos lejoni që zëri i tyre të humbasë mes përplasjesh dhe interesash të errëta.
Një apel kam edhe për prindërit: Flisni me fëmijët tuaj, qëndroni pranë tyre dhe ndihmojini të dallojnë protestën si një të drejtë demokratike nga dhuna që mund t’u rrezikojë të ardhmen. Asgjë nuk vlen më shumë se siguria, dinjiteti dhe e ardhmja e fëmijëve tanë.
Kam besuar gjithmonë se energjia e të rinjve është një nga forcat më të mëdha që ka ky vend. Ajo meriton të dëgjohet e të respektohet, jo të instrumentalizohet.
Të rinjtë duhet të jenë protagonistë të së ardhmes së tyre, jo instrumente të keqpërdorura.

